Nazarko: Opozita s’përbën rrezik! Historia e Ramës është mbyllur, ministrat si kryetarë tenderash dhe prokurimesh (VIDEO)

Nazarko: Opozita s’përbën rrezik! Historia e Ramës është mbyllur, ministrat si kryetarë tenderash dhe prokurimesh (VIDEO)

Analisti Shpëtim Nazarko, protestën e paralajmëruar pasditen e sotme nga opozita, e cilëson si histori që Sali Berisha e ngre për veten e vetë i cili rron me menu ditore.

Për MCN Live, Nazarku tha se fakti që një pjesë e opozitës vërtitet prapë pas Berishës pas 30 vitesh, është një problem shumë i madh për Shqipërinë.

Përfytyro sikur Berisha të fitojë sot dhe nesër të bjerë qeveria. Ne rrojmë prej 30 vitesh me atë këngën në ato maja rripa rripa. Ngordhja e klasës politike ka ndodhur në të dy krahët. Berisha do një trofe.

Duhet ti sforcojë ngjarjet në maksimum ose të arrijë sukses. Fakti që një pjesë e opozitës vërtitet prapë pas Berishës pas 30 vitesh, është një problem shumë i madh për Shqipërinë.

Në këto vende ku ke sundim gjysmë feudal, të kujtohet filozofia e të vjetër, se vinte një bandë na mali priste 3-4 koka dhe më pas vinte një bandë tjetër priste 3-4 koka. Jemi në të njëjtën situatë.

Fakti që Berisha do dështojë sot edhe sikur të fitojë ndonjë gjë të vogël në taktikë, nuk e pakëson pezmin. Kemi një pushtet që po kalbet çdo ditë e më tepër në peshën e korrupsionit dhe të paditurisë së vetë.

Rama gjithnjë e më tepër po i ngjan paraardhësve të tij, dhe Fatos Nanos. Kemi një qeveri totalisht të korruptuar dhe një grup ministrash që avash avash po bëhen pjesë të skeçeve.

Te dera po troket një armik. Po ky nuk është armik, për mua Berisha është histori e mbyllur. Shqetësim për mua përbën se Shqipëria pas 30 vitesh, një pjesë e shoqërisë mendon sikur Berisha të fitojë. Na kthen pas në atë muzikën e vjetër.

Sipas tij, një gjë është e vërtetë dhe se pavarësisht protestës, Shqipëria është në një pikë që është e pafuqishme për të analizuar veten.

Në këtë linjë ai tha se edhe analistët ushqehen nga menuja ditore dhe se nuk sheh asnjërin që të analizojë dhe të nxjerrë numra dhe shifra.

Sa i takon grupit të deputetëve demokrat që do i bashkohen protestës, ndërkohë që qëndruan jashtë sherrit mes dy grupeve dhe që Berisha i quajti meditues, për Nazarkon në të vërtetë ata ishin pritës së vendimit të gjykatës.

Besoj që minimumi gjykata do i sqarojë ngjarjet në një dritë logjike. Grupi i deputetëve pritës edhe në këtë moment e justifikon veten se është brenda kauzës si çdo qytetar.

Asaj proteste mund ti bashkohen se janë të interesuar për çmimet. Ky bashkim nuk është një bashkim që këta kanë përqafuar vijën e Berishës, janë ata njerëz që mendojnë se do jemi në protestë se nuk jemi aktivë.

Se jemi me kauzën që po s’je me mua je me armikun. Ky grup deputetësh nuk i janë afruar Berishës, por i janë afruar çastit. Se në të kundërt mund të shihen se janë me Ramën.

Historinë e Berishës e shoh të ngritur mbi elementë taktikë të njëpasnjëshëm. Besoj se që nga historia e stadiumit, 8 janari dhe me radhë, është mbështetur tërë kohës në elementë taktikë, por kjo nuk mund të ndodhë pafundësisht.

Protestës së Berishës i jap elementë rreziku, por është betejë me Amerikën, me Europën, me njerëz që e dinë biografinë e tij. Për mua rëndësi ka qe ne pas 30 vitesh jemi të detyruar të analizojmë Berishën.

Përfytyro sikur sot fiton Berisha dhe ne nesër gdhihemi me Berishën, kjo është një fatkeqësi shumë e madhe. Një pjesë e madhe e fajit i takon medias, shtypit dhe pjesa tjetër e fajit i takon qeverisë që favorizon elementë të tipit Berisha.

I pyetur se me kë e ka betejën Edi Rama, Nazarko deklaroi se nuk beson që opozita të jetë rrezik për Ramën, duke e cilësuar si opozitë të disa njerëzve që kanë hyrë dhe kanë dalë dhe vetëm hijet e tyre vijnë vërdallë.

Unë mendoj se historia e Edi Ramës është mbyllur. Mund të vazhdojë, por di se do e ketë shumë të vështirë të mbijetojë, pavarësisht nëse është Berisha apo Nard Ndoka në opozitë. Ai ka problem me veten.

Qeverisi në mënyrë të lemerishme Nano që erdhi Berisha, se po ti kishte rregulluar punët e veta mirë, nuk kishte pse të vinte Berisha. Rama e ka kaluar me kohë zenitin e vetë dhe nëse do të bëja një analizë, historia e Ramës me zgjedhjen që ka bërë është drejt përfundimit.

Sepse ai pavarësisht se pati një dritë shumë herë më të madhe se Nano dhe Berisha, e katandisi qeverisjen mediokre dhe larg inteligjencës, universiteteve, medias. U soll si paraardhësit e vetë, por pa gjuajtur me pushkë.

Është faji i tij, se një njeri që e ke vënë në krye të vendit, duhet patjetër të thotë se lashë diçka. U lashë një elitë intelektuale më të mirë. Rama është si një kryeredaktor shumë i madh. Në kohëra kur kam pasur raporte të mira me të, i kam thënë se betejat e mëdha i bëjnë batalione të mëdha.

Nuk mund të bësh beteja me ministra që nuk kanë shkruar një gjë, asnjë artikull për politikën dhe ekonominë e këtij vendi. Jemi në vitin 2022, nuk dimë të ketë shkruar ndonjëri. Këta qeverisin në këmbë dhe tregojnë me dorë si Enveri.

Kjo është një histori e improvizuar në të cilën merr pjesë dhe Rama, i cili pikturon në mënyrë gjeniale, që në 3-4 vitet e para i dha një sqimë Shqipërisë dhe më tej e katandisi si jemi sot.

Kërkon të shkojë përpara në histori me një tufë ministrash që nuk dimë se pse duhet ti respektojë Shqipëria. Unë i shoh ministrat e Ramës si kryetarë tenderash dhe prokurimesh.

Pashë një lajm për tendera ku QSUT kërkonte krevate dopio. Unë e pashë dhe duhet ta përgënjeshtrojnë atë. Se krevate dopio në sallë të operimit nuk ka! Se nuk bën mundje doktori me pacientin.

Nëse ministrat e Ramës janë për të caktuar tendera dhe bëjnë çmime, kjo është një histori e neveritshme. Kjo tregon se në çfarë derexheje jemi katandisur dhe ku duhet ta kërkojmë shpresën?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy