Emigranti shqiptar në Afrikë Shpëtim Redo dhe emigrantja Sonila Geçaj nga Belgjika ndajnë traumat e tyre të largimit nga vendi.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, edhe psikologia Almeida Abazi ndau pasojat që përjetojnë emigrantët pas largimit nga vendi.
Shpëtim Redo
Kam ikur pa mbushur 20 vjeç, në gusht 1990. Kam kaluar në ish-Jugosllavi përmes malit, ishte akoma e rrezikshme se të vrisnin ende në kufi. Kam kaluar në Maqedoni, ku na çuan në një kamp në Shkup dhe nga aty në Beograd. Shokun tim e kthyen se e menduan të infiltruar, ndërsa unë u arratisa. Më tej shkova në Vjenë të Austrisë.
Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1994, pasi familja nuk e dinin nëse isha gjallë. Dhe që nga ai moment kam ardhur rregullisht. Pas 22 vitesh në Vjenë, u largova në Afrikë, në Nairobi, në Kenia. Katër fëmijët kishin dalë në jetë dhe bashkë me bashkëshorten u larguam. Tani bashkë me bashkëshorten po mendojmë kthimin në Shqipëri dhe po planifikojmë kthimin.
Sonila Geçaj
Vij shumë herë në Shqipëri, 5-6 herë në vit. Kam fatin e mirë që vij shpesh dhe bëj shumë ture nëpër Shqipëri. Ishte fundviti i 1998-ës dhe vendimin për tu larguar e kanë marrë prindërit e mi, pasi unë isha vetëm 10 vjeç. Ne jetonim në Laç, u nisëm për në Vlorë ku kemi qëndruar tre ditë dhe një natë kemi hipur në skaf. Ka qenë natë e ftohtë nëntori. Mbi 30 vetë në një skaf të vogël. Vëllai ishte 5 vjeç dhe gjithë fëmijët i kishin futur në mes, që fëmijët të mos ishin rrezik.
Në një moment në det të hapur vijnë dy helikopterë të policisë italiane dhe skafistët u trembën duke bërë manovra që gjallë a vdekur të shpëtonin. Nuk na lanë në breg, por në det dhe u khyen pas në Shqipëri. Më tej nga Milano në Belgjikë kemi kaluar me kamion.
Prindërit punonin dhe bënin turne nate, na linin vetëm në apartament. Vëllai çohet një natë dhe bërtet, kaloi makth në ëndërr. Mamin e kam astmatike dhe ajo ka qenë arsyeja kryesore e largimit. Mamin e morën gjashtë muaj dhe e mbajtën në spital, ngelëm vetëm me babin. Mua mu deshën dy vite të përshtatesha, por prindërve shumë më shumë.
Almeida Xhaferi
Trauma e zhvendosjes ku ti lë pas çdo gjë që të ka përfaqësuar dhe ti nisesh drejt një të panjohure, kur nuk e di se çfarë të pret. Trauma në këtë rast është e shumëfishtë. Ka qenë një brez që patën një lëvizje masive. Fakti që këto trauma i përjetoi një masë e gjerë e popullatës në ato vite, bën që të mendosh se nuk është vetëm pesha jote.
Vuajtja nuk është vetëm e familjarëve, por të ikësh dhe të mos kesh kontakte fare me familjen. Shumë shqiptarë duan të kthehen në vitet e para, por nuk kthehen se nuk duan të pranojnë se dështuan. Ka një lloj ndjesie që nuk thuhen të gjitha të vërtetat. Iu thonë të afërmve se jeta është shumë e mirë dhe se paguhesh mirë, kur në fakt kalojnë siklet.
Këtu fillojnë fazat e melankolisë së thellë dhe shpesh bihet në depresion. Trauma e zgjatur e emigrantëve është se ngelen midis dy botëve të p integruar plotësisht dhe shumë qasjeve kulturore këtu u janë shkëputur, ndërkohë që atje janë emigrantë.



