
Legjislatura e XI e Kuvendit të Shqipërisë nisi punimet me tensione dhe skena të njohura të bllokimit të foltores nga opozita. Por një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendje është mungesa e Tom Doshit, kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD).
Gazetari i politikës, Mariglen Kume, raportoi për “MCN Live” se, sipas burimeve të tij, Tom Doshi nuk do të marrë pjesë në Kuvendin e ri.
Nga burime të sigurta, mësohet se Tom Doshi nuk do të jetë pjesë e punimeve të kësaj legjislature.
Ende nuk është e qartë nëse ai do të dorëzojë mandatin menjëherë, apo do të qëndrojë zyrtarisht deputet për disa muaj, pa marrë pjesë në seanca,.
Gjatë seancës së parë, emri i Tom Doshit u lexua zyrtarisht mes deputetëve të zgjedhur, por ai nuk ishte i pranishëm në sallë, dhe Kuvendi nuk dha asnjë informacion mbi arsyet e mungesës së tij.
Në rast se ai dorëhiqet apo nuk paraqitet për më shumë se 6 muaj, mandati i tij do të zëvendësohet sipas rregullave ligjore, nga kandidati pasues në listën shumëemërore të PSD-së në Qarkun përkatës. Zëvendësimi do të bëhet përmes vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji.



