
Në episodin e kaluar, “Kronos” trajtoi atë që ndodhi në Zvërnec më 30 maj, kur një qytetar u tërhoq zvarrë në mes të ditës, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe ndezi një valë protestash që tashmë kanë hyrë në javën e tyre të dytë.
Në atë moment dihej se kush qëndronte pas projektit të prezantuar pasi mediat kishin hulumtuar dhe investiguar. Por jo se çfarë po hetonte në Prokuroria e Posaçme për mënyrën se si ishin përfituar këto toka dhe si ishin kryer transkasionet e shitjes.
“Kronos” ka siguruar vendimin e kontrollit të miratuar nga gjykata për disa persona, biznese dhe ambiente, pasi sipas SPAK aty mund të gjenden prova që do të faktonin dyshimet se gjatë procesit të nxjerrjes së çertifikatave të pronësisë dhe më pas shitjes së tokave janë konsumuar vepra të rënda penale.
Vendimi mban datën 31 maj, por nga përmbajtja e tij kuptohet se veprimet hetimore të Prokurorisë së Posaçme kishin nisur disa ditë më herët, pra përpara ngjarjes së 30 majit në Zvërnec. Një detaj që tregon se pas protëstave që shpërthyen publikisht, SPAK kishte disa muaj që kishte nisur një hetim të gjerë mbi pronat me vlerë qindra milionë euro.
Brigjet e Zvërnecit dhe Akërnisë janë ndër zonat më të lakmuara të jugut të Shqipërisë, për shkak se ato kanë qënë pjesë e zonave të mbrojtura. Pikërisht për vlerat që kanë dhe sipërfaqet e mëdha është zhvilluar një betejë e ashpër pronësie, e shoqëruar me kontrata të shumta, transaksione komplekse dhe një rrjet personash që tashmë janë nën hetim.
Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se disa prej tyre kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim pastrimin e produkteve të veprës penale.
Prokuroria e Posaçme e nis argumentimin e saj duke evidentuar se konfliktet për këto toka nuk janë të reja. Për vite me radhë, banorë të zonës kanë pretenduar pronësinë mbi sipërfaqe të ndryshme, duke u mbështetur në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi.
Por ndërkohë, sipërfaqe të tëra rezultojnë të regjistruara në Agjencinë e Kadastrës fillimisht në emër të trashëgimtarëve të Artur Shehut dhe më pas në emër të vetë këtij të fundit, i cili rezulton se ka blerë pjesë të konsiderueshme të këtyre pronave. Një pjesë tjetër figuron në emër të Ferdinant Sulajt, trashëgimtar i Seit Shehut.
Sipas dokumenteve të administruara nga SPAK, një pjesë e këtyre pasurive janë tjetërsuar më pas tek avokati Pëllumb Petritaj, i cili kishte përfaqësuar Seit Shehun në proceset gjyqësore dhe administrative për regjistrimin e tyre.
Për regjistrimin e këtyre pronave është përdorur një vendim i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili më vonë është rrëzuar nga Gjykata e Lartë. Një vendim i shfuqizuar, që sipas SPAK, mund të jetë kthyer në gurin e themelit mbi të cilin janë ngritur transaksione që sot po hetohen për falsifikim, pastrim parash dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
“Nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore rezultojnë se, konfliktet janë akoma në procese gjyqësore duke mos patur vendimmarrje të formës së prerë, ku edhe për pasurinë me nr. 262, zona kadastrale 1007 vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka shërbyer për regjistrimin e pasurive është prishur nga Gjykata e Lartë. Nga përmbajtja e këtyre vendimeve gjyqësore citohen edhe dokumenta të përdorur përgjatë proceseve të cilat kanë rezultuar të falsifikuara.” – Vendimi i gjykatës
Gjithashtu, në krijimin e dyshimeve në lidhje me mënyrën e marrjes së këtyre pronave, mbahen parasysh edhe dosje gjyqësore dhe çështje të tjera, ku Pullumb Petritaj është dënuar dhe ka patur procese të shumta të shuma gjyqësore në lidhje me falsifikim të dokumentave për prona që lidhen me shtetasin Artur Shehu.
SPAK dyshon se regjistrimi i pronave dhe transaksionet e kryera më pas nuk kanë qenë veprime të zakonshme. Sipas hetuesve, procedurat janë zhvilluar me shpejtësi dhe janë shoqëruar me një sërë shitjesh dhe shkëmbimesh të pronave, ku përfitues kryesor rezulton Artur Shehu.
Prokuroria vlerëson se Leonard Bishaj, Pullumb Petritaj dhe Enkes Hysendhima kanë vepruar për llogari të tij. Duke iu referuar edhe deklarimeve të Soni Sulajt dhe Amela Mukajt, SPAK dyshon se këto veprime kanë qenë të planifikuara dhe të koordinuara nga disa persona, të cilët kanë ndjekur procesin me interes të veçantë, pa pasur deri tani një marrëdhënie juridike që ta justifikonte atë. Disa prej këtyre personave përmenden nga dëshmitë e marrë dhe një prej tyre është Amela Muka, notere.
Dëshmia e kësaj të fundit ka ndihmuar shumë prokurorinë e posacme në këto veprime hetimore. Në datën 28 maj në zyrën e saj janë marrë 8 kontrata të cilat 3 prej tyre janë të fundit të vitit 2025, 4 janë të muajit prill të këtij viti dhe një është e datën 24 maj.
Amela Mukaj ka dhënë dëshmi në prokurorinë e posaçme duke treguar se lidhjet me palët e këtyre 8 kanotrata ia ka mundësuar një person me emrin Edgers i cili është i punësuar tek kompania “Kastrati”.
“Me procesverbalin e datës 28.05.2026, është marrë deklarimi i shtetases Amela Mukaj lidhur me veprimet që ajo ka kryer për kontratat e mësipërme dhe ajo deklaroi se lidhjen me palët e kontratave sa më sipër ia ka mundësuar shtetasi Edgers, i cili është i punësuar në një nga shoqëritë e Kastrati Group. Nga kjo shoqëri, shtetasja Amela Mukaj deklaroi se ka patur dhe komunikime me një shtetase me emrin Sara Banushi. E pyetur nëse i ka të ruajtura komunikimet me shtetasen Sara Banushi, ajo u shpreh se i ka fshirë.”- Vendimi i gjykatës
Noterja gjatë kohës që është marrë në pyetje ka rënë dakord që ti kqyret telefoni, proces i cili është ndërprë nga ajo pasi SPAK ka gjëtur komunikime mes saj dhe avokatit Enkes Hysendhima, i cili ka pasur rol ne akte shitblerjesh pronash në zonën e vlorës. Komunikimi mes të dyve ka nisur në shtator të 2024. Por në vendim për të mundësuar kontrollin në vendet dhe persoat e kërkuar nga SPAK ka majftuar vetëm disa mesazhe të datës 10 dhe 13 nëntor 2025.
“Në datën 10.11...2025 ora 12:36:54 PM Enkes Hysendhima i shkruan Amela Mukaj "Jane 4 kartela per tu rifresku 1. Artur Shehu dhe Ferdinand sulaj zk 3951 2. south adriatic zk 1097 3. ferdinand sulaj 9400 m2 zk 1007 4. am nvest 25.000 m2 zk 1007". Në datën 13 11.25, ora 1:07:10 PM. Enkes Hynsendhima i dërgon një kontratë shkëmbimi me nr. rep. 2145 ale nr. kol. 771, ku Feriare Petritaj shkëmben 2000m2 pyll të ndodhura në ZK 8604 me 112.000 m2 të Raimond Mëzit.Në vijim Enkes Hysendhima shkruan "Kjo eshte menyra e fitimit te pronesise se ferlares per 78.000 m2. Menyra e perfitimit te siperfaqes se mdhe qe eshte ne bp A. SH dhe F.S eshte goxha kontratë e madhe shkëmbimi mix me pjestarët e tjerë të fisit... por si origjinë pronë është vendim komisioni".”- Vendimi i Gjykatës
SPAK sqaron se noterja dhe Enkes Hysendhima kanë komunikime dhe për kontrata që shoqëria Albania Land Development ka bërë më Artur Shehun, Ferdinad Sulaj dhe persona të tjerë.
Një nga përfituesit e tokës në Zvërnec është Ferdinad Sulaj i cili ka dhënë dëshminë e tij para heteusve i cili sqaron se pasurinë me nr 1/1 e njohur si Dalani është kthyer me vendim të kthimit dhe kompesimit të pronave në emër të Ramis,Merjeme dhe Kutbi Shehut nipër dhe mbesa e Seit Shehut . Me këtë proces sipas Sulajt ëshët marrë Artur Shehu me anë të avokatit Pëllumb Petritaj.
“Rreth vitit 2007 prona e Dalanit, me sipërfaqe prej 1,089,150 m2 u regjistrua në emër të Ramisit, Merjemes dhe Kutbiut, të cilët ishin të tre gjallë në atë kohë. Më pas, këto të fundit ua shitën pronën trashëgimtarevë të tjerë të Seit Shehut dhe Ferdinant Sulaj, i takonte të merrte pjesën 1/15. Për shkak të një marrëveshje që kishte rënë dakord me Artur Shehun, Ferdinant Sulaj bëhet pronar i 1/18 të sipërfaqes totale, pasi i kishte premtuar Artur Shehut se do i jepte 1/6 e pjesës së tij për shpenzimet që do bënte Pullumb Petritaj lidhur me procesin e kthimit dhe regjistrimit të pronës. Lidhur me veprimet e shitjes së kësaj prone, Ferdinant Sulaj u shpreh se është marrë djali i tij Soni dhe se ai mund të ketë informacion. Te njëjtën mënyrë veprimi sa i përket kthimit dhe regjistrimit të pronësisë deklaroi se është kryer dhe për pronën e ndodhur në Akërni, të cilën gjithashtu ia ka shitur shoqërisë "Albania Land Development".”- Vendimi i gjykatës
Dëshmia e Soni Sulajt konfimrmon se planet për të zhvilluar zonën e Zvërnecit datojnë shumë herët se bërja publike e këtij projekti. Sulaj para hetuesve ka sqaruar se babai i tij rreth 4 vite më parë kishte firmosur një prokurorë ku autorizonte përfaqësuesin e Artur Shehut që pronat në Akërni dhe Zërnec të jepër për ndërtim.
“Sipas dijenisë së tij, shoqëria që do të kryente ndërtimin kishte përfaqësues Redi Strugën dhe mbante emrin "South Development", megjithëse nuk e mbante mend të plotë. Lidhur me këtë marrëveshje, ai ishte i sigurt se kishte dalë leja e zhvillimit, por nuk dinte të thoshte nëse kishte dalë edhe leja e ndërtimit. Marrëveshja nuk u zbatua dhe sipas tij investitori ishte pala që u tërhoq. Gjatë kësaj kohe, Soni Sulaj deklaroi se kishte diskutuar me një avokat të quajtur Enkes, banues në lagjen e tij në Vlorë, i cili kishte mbajtur komunikim me persona të tjerë që ai nuk i njihte. Me Enkesin kishte pasur komunikim deri në momentin kur u prish marrëveshja e parë (pa u shkëputur kontrata), por pala investitore kishte shprehur interes për blerje. Meqënëse nuk ra dakord për çmimin e shitjes, ai ndërpreu marrëdhëniet me Enkesin për një periudhë të caktuar.”- Vendimi i gjykatës
Këtu për herë të parë na del emri i Redi Strugës, i cili është i përfshirë në një seri transkasionesh të cilat do ti shpjegojmë pak më vonë. Gjithashtu për hërë të dytë përmendet Sara Banushi, avokate dhe personi më emrin Ridgers të dy punonjëse e kompanisë Kastrati. Soni Sulaj ka sqaruar se me Sara Banushin kishte bisedauar për shitjen e dy parcelave toke në Akërni dhe Zvërnec.
“Me Sarën kishte biseduar për përmbajtjen e kontratave të shitjes së dy pronave me sipërfaqe 94,500 m² dhe 60,500 m² në Akërni dhe Zvërnec, si dhe për blerjen e dy apartamenteve (120 m² dhe 160 m²), një dyqani (80 m²) dhe 3-4 garazhe. Për këto prona ishte rënë dakord që ai t'i blinte me vlerë rreth 2 milion euro, shumë që do të paguhej pas kalimit të pagesës së shitjes së pronave në Akërni dhe Zvërnec. Gjithashtu, nga Kastrati ka blerë një makinë vlerën 220,000 euro, e cila do të likuidohej pas kalimit të parave nga shitja e pronave. Pas dakordësimit për shitjen e pronave, Sara ka lajmëruar vazhdimisht për kontratat dhe datat e nënshkrimit. Soni Sulaj deklaroi se nuk e mban mend kush e kishte lidhur me Sarën, mund të kishte qenë Enkesi ose ajo e që e ka kontaktuar. Kishte kommikuar edhe me një person të quajtur Ridgers, që kishte lidhje me Kastratin. Soni Sulaj kishte kërkuar të takonte Musa Kastratin për ta falënderuar. Takimi ishte lënë për javën pasuese, por me shkëputjen e komunikimit nga pala tjetër, ai nuk besonte se do të zhvillohej.”- Vendimi i gjykatës
Ai ka treguar se e kishte takuar Artur Sehun dy hërë jashtë vendin në Nicë të Francës dhe në Majorka të Spanjës dhe qëllimi ka qënë për rënien dakord në lidhje me pronat.
SPAK ka sjellë si provë gjykatës aktë noteriale mes Artur Shehut dhe fëmijve të Pullumb Petritaj një prej tyre është e 28 majit 2014, ku shiten 1 milion metra katrorë tokë me cmim rreth 2,5 euro për metër katrorë.
“Nga analiza e veprimeve noteriale, janë konstratuar shumë akte noteriale mes Artur Shehut dhe fëmijëve të Pullumb Petritaj dhe kontretisht: Kontratë Shitje Pasurie të Paluajtshme Nr 443 Rep., Nr. 240 Kol., datë 28/05/2014, me Palë Shitëse: Ramiz Shehu, Merjeme Shehu, Sadihane Shehu, Lulëzim Shehu, Lavdosh Shehu dhe Seit Shehu - të gjithë të përfaqësuar nga Pullumb Petritaj dhe Palë Blerëse: Ina Petritaj (me objekt kontrate: Pasuria me numër 263, Z.K. 1007, Vol. 5, faqe 189, me sipërfaqe 1.000.000 m², me çmim shitje 253.000.000 Lekë, para të cilat është deklaruar se janë paguar jashtë zyrës noteriale.”- Vendimi i gjykatës
Në listën e provave të SPAK janë dhe dy kontrata të tjera, njëra premtim shitje dhe tjetra shitje e lidhur mes Leonard Bishaj, përfaqësues i Artur Shehut si shitës dhe Redi Strugës si përfaqësues i Albania Land Devolpment si blerës. Sipërfaqja është 1 milion e 89 mijë metra katrore dhe cmimi i premtimit 5,5 euro për metër dhe ka një diferencë të madhe me atë shitjes 118 euro për metër.
“Pala premtuese shitëse premton të shesë, ndërsa pala premtuese blerëse premton të blejë, pjesën ideale 17/18 që i korrespondon sipërfaqes prej 1,028,641.67 m³, nga pasuria e paluajtshme me numër 1/1, me sipërfaqe totale prej 1,089,150 m³, e ndodhur në Zvërnec, Vlorë, regjistruar në Z.K. 3951. Çmimi i përcaktuar është në shumën 5,500,000 Euro. Këtë pronë, Artur Shehu e ka fituar nga kontrata e shkëmbimit me nr. 3259 rep. dhe nr. 1945 kol., 11.11.2011.Me procesverbalin e datës 28.05.2026 për këqyrjen dhe marrjen e dokumentacionit pranë zyrës së noteres Amela Mukaj, është marrë një kopje e njehsuar me origjinalin e kopje e kontratës me nr 2062 rep., dhe nr. 1166 kol., e datës 24.04.2026. Pasuria me nr. 1/1, në sipërfaqen 1,028,641.67 m² i shitet shoqërisë "Albania Land Development" në vlerën 122.000.000 (njëqind e njëzetë e dy milion) euro.”- Vendimi i gjykatës
E njëjta gjë ka ndodhur me tokën e Ferdinad Sulaj i cili ka premtuar të shesë dy parcelat e tij për 300 mijë euro, ndërsa në kontratën e sekuestruar tek zyra e noterel Amela Muka Sulaj ia shet Redi Strugës për 19 milion euro.
Redi Struga dhe kompania e tij ka kryer veprime noteriale edhe me vajzen e Pëllumb Petritaj, Feriare Ndreun për 78 mijë metra katrorë pyll të ndodhur në Akërni për vlerën e 2 milion euro.
Në datën 9 dhjetor 2025 është nënshkruar kontrate tjetër premtim shitje mes “South Adriatic Development" sh.p.k. dhe "Albania Land Development", kompani të cilat kanë aktor të njëjtë Redi Strugën. Premtimi është për blerjen e nje pronë në vlorën e 6,4 milion eurove. Në datën 21 prill 2026 “South Adriatic Development” i shet për 70 milion e 289 mijë euro , "Albania Land Development" një pronë bazuar në kontratën e premtimit.
SPAK ka arritur të faktojë se Redi Struga ka blerë dhe ka pasur bashkëpunim me Artur Shehun për toka të ndryshme pasi këto pasuri janë shitur tek "Albania Land Development". Njëra prej tyre është kontrata për shitje pasurie e 20 nentorit 2021 ku Shehu për 2,4 milion euro ka shitur një pronë, akti thotë SPAK nuk është i ngarkuar në regjistrin noterial NISA.
E rëndësihme për hetimet e SPAK është kontrata e sipërmarrjes me numër 4194 rep, nr 1683 kol e datës 4 korrik 2022 e nënshkruar tek noterja Amela Muka, me palë sipërmarrëse “South Adriatic Development" dhe pronarin Artur Sehu përfaqsuar nga Leonard Bishaj.
Në dokumentat e SPAK thuhet kompania e Redi Strugës zotëron 1,2 milion metra katrore tokë në Akërni të vërtetuara me certifikatë pronësie dhe pronari I tokës në këtë rast Artur Shehu ka në pronës 1 milion e 89 mijë metra katrorë ndodhur në Zvernec dhe duke qënë se pronat janë kufitare lidhin kontratën e mëposhtme, për të cilën SPAK thotë që rezulton vetëm faqja e parë.
“Meqënëse pronat e mësipërme janë kufitare dhe në vazhdimësi të njëra-tjetrës në vijën bregdetare, ato shërbejnë si prona ndihmëse duke i rritur kështu vlerën tregtare në funksion të zhvillimit. Ndaj me qëllim interesin e përbashkët për një zhvillim sa më optimal të të dyja pasurive, palët lidhin kontratën e mëposhtme. Rezulton vetëm faqja e parë e kontratës. Në fund të vitit 2025 shoqëria " South Adriatik Development" sh.p.k sipërfaqja i është shitur shoqërisë "Albania Land Development" sh.p.k. Këto veprime të kryera në vite ndërmjet shtetasve Artur Shehu dhe Redi Struga tregojnë për lidhje dhe interesa të përbashkëta të tyre, veprime të planifikuara dhe koormuara në kohë dhe kontrolli i tij është i domosdoshëm për të gjetur dokumenta apo të dhëna të garë që i shërbejnë këtij hetimi.”- Vendimi i Gjykatës
Në fund gjykata vendosi ti japë të drejtë SPAK dhe të kryejë kontrolle perosnale dhe në banese tek Leonard Bishaj, avokati Pullumb Petritaj, djali i tij Armalindo Petritaj, vajzat Feriare Ndreu dhe Ina Shuraja, Enkes Hysendhima dhe Redi Struga. Hetuesit kanë ushtruar kontrolle edhe në zyrën e avokatisë së Enkes Hysendhimës, si dhe në ambientet e dy kompanive, “Adhenis” sh.p.k. dhe “South Adriatic Development”. Veprimet hetimore janë shtrirë nga Vlora dhe Orikumi deri në Tiranë e Lezhë. Dhe ndërsa protestat vijojnë në terren, në prapaskenë SPAK duket se po përpiqet të rindërtojë të gjithë zinxhirin e personave, dokumenteve dhe transaksioneve që fshihen pas miliona metrave katrorë tokë me vlerë qindra milionë euro.
Për vite me radhë, miliona metra katrorë tokë në një nga zonat më të lakmuara të jugut të vendit kanë qenë objekt konfliktesh, procesesh gjyqësore, transaksionesh të dyshimta kriminale dhe pretendimesh të disa palëve.
Ndërsa hetimet e SPAK po thellohen, shumë pyetje mbeten ngrihen si u regjistruan këto prona, kush përfitoi prej tyre? Mbi të gjitha a kemi të bëjmë me një seri shkeljesh të izoluara, apo me një mekanizëm të mirëorganizuar që ka funksionuar për vite me radhë?
Përgjigjet përfundimtare do ata japë SPAK dhe më pas gjykata. Por dokumentet dhe faktet e sjella në këtë emision tregojnë se historia e Zvërnecit nuk është vëtëm një konflikt për tokën.
Ajo është një histori që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është administruar prona në Shqipëri dhe rolin qe kanë patur institucionet për të mbrojtur interesin publik dhe të drejtën në rastin që këto toka janë regjistruar.



