
Horst Seehofer do të largohet nga drejtimi i partisë, CSU, dhe nga posti i ministrit të Brendshëm të Gjermanisë. Seehofer ia ka paraqitur dorëheqjen partisë së tij, pasi kancelarja Angela Merkel e përjashtoi mundësinë e kthimit të emigrantëve në kufij, një pikë e parashikuar kjo në planin e propozuar nga Seehofer.
Sipas gjermanes “Bild”, Seehofer mbajti një fjalim emocional para kolegëve të partisë së tij, ku ka përmendur edhe vdekjen e 14-vjeçares Susanna, e cila u përdhunua dhe u vra nga një emigrant iraken.
“Nuk mund ta marr përsipër këtë përgjegjësi”, ka thënë Seehofer.
Ai është kryetar i partisë aleate të Merkelit, CSU, prej vitit 2018, dhe ka qenë për 10 vjet president i rajonit të Bavarisë dhe ministër i Brendshëm i qeverisë Merkel që prej fillimit të saj.
Kreu i grupit rajonal të CSU-së, Alexander Dobrindt, është shprehur se nuk mund ta pranojë dorëheqjen e Horst Seehofer.
“Është një vendim që nuk mund ta pranoj”, citohet ai nga DPA-ja, e cila i referohet një burimi në mbledhjen e partisë. Fjala e Dobrindt është pasuar me një duartrokitje të gjatë.
Menjëherë pasi Seehofer ka ofruar dorëheqjen, drejtues të lartë të CDU-së bënë të ditur se mbështesin politikën europiane të kancelares Merkel për emigrantët.
“Do të përpiqemi sërish për një bisedim në Berlin me CDU-në, me shpresën se do të arrijmë mirëkuptimin. Shpresoj t’ia dalim”, tha Seehofer rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa dilte nga zyrat e partisë së tij.
Javët e fundit, kriza mes CDU-së dhe CSU-së u thellua. Pavarësisht se pritej që përfundimi do të ishte një kompromis mes dy aleatëve në qeverinë më të fortë të Europës, mbledhja e djeshme e CSU-së tregoi se më shumë sesa një përplasje qëndrimesh, kriza ka të bëjë me një përllogaritje të zgjuar politike.



