Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka rrëfyer detaje të largimit të tij nga detyra. Në një intervistë për “Dritare”, Manjani është shprehur se nuk ka pasur asnjë kontakt me Edi Ramën, as për dorëheqje, as për shkarkim.
“Misioni im, si ministër, ishte vetëm një, të vendos standardin e sjelljes publike të ministrit. Këtë mandat më dhanë dhe ndoqa strategjinë të kryej mandatin dhe përgjegjësinë që më vendosën, standardin e një ministri. Ministri është autoritet publik dhe që nuk nënshtrohet kollaj, pa argument. Ministri propozon, debaton.”
Manjani tregoi arsyen pse doli të fliste menjëherë pas shkarkimit nga detyra.
“Meta më bëri të ditur situatën e vështirë që kishte krijuar standardi im si ministër në raport me kryeministrin dhe më tha se mund të zëvendësohesha dhe unë rashë dakord. LSI gjykon më mirë se unë. Metës do ia jepja në çdo çast dorëheqjen, por jo Ramës. Unë nuk kisha kryer asnjë krim. Ndaj refuzova dorëheqjen dhe dola fola. Duhej të flisja, sepse nuk u hoq drejtori i burgut te Vaqarrit, por Ministri i dytë i Drejtësisë, pas Naços.”
Ish-ministri i Drejtësisë ripërsëriti edhe deklaratën e tij lidhur me ministrat që frekuentonin hotelin e Balilit ai thotë se i ka parë videot e ministrave me të dashurat në hotelin e të kërkuarit ndërkombëtar.
“Po, më ka rënë në dorë dhe ishin të shërbimeve sekrete,” - tha ai, duke pranuar se nuk do të fliste për to, por për faktin se nuk qe ai përgjegjës për moskapjen e Balilit, por policia e shtetit.
"Ka një datë, 17 maji 2016, kur Interpoli lëshoi urdhër-arrest. Interpol Albania ka pasur dhe ka detyrë ta arrestojë. Policia nuk e ka arrestuar dhe policia mos t’i bjerë anash sepse janë alibi që nuk justifikohen. Jam i vetmi zyrtar që kam kërkuar sistematikisht arrestimin e Balilit. Arrestimin e bën policia, e bën Ardian Çipa. Policia u mundua t’i hedhë fajin prokurorisë por, ishte faji i saj, i policisë së shtetit.”-tha Manjani në Dritare me Rudinën.



