
Në një botë ku marketingu është instrumenti më i fuqishëm, reklamës nuk mund t’i shpëtosh ngado të kthesh kokën. Që nga billbordet në rrugë, pauzat publicitare në televizione apo radio, reklamat në linjat e transportit publik apo ato në rrjetet sociale, të gjitha kanë një qëllim: të rritin shitjet.
Por një kompani start up në Rusi ka ndërmend ta ngrejë në qiell reklamën dhe kjo në kuptimin e parë të fjalës.
"Start Rocket" planifikon të vendosë billborde të ndritshme në orbitë për të “bombarduar” audiencën 7 miliardëshe të planetit. Ideja bazohet në vendosjen e disa satelitëve të vegjël në formë kubash, me ekrane të programuara, të cilat do të rrinë në orbitë në lartësinë 400-500 km nga Toka. Secili satelit do të ketë aftësinë të reflektojë dritën e diellit, duke formuar kështu një piksel të ekranit gjigant prej 50 km katrorë.
Kompania thotë se e ka kapërcyer fazën teknike dhe planifikon ta lëshojë Ekranin Orbital në vitin 2020, ndërsa reklamat e para do t’i shohim në qiell në vitin 2021.
Arsyet e vonesës 1-vjeçare janë ende të paqarta, siç janë edhe kostot e reklamave.
“Markat dhe eventet dominojnë jetën tonë. Ne do të jetojmë në hapësirë dhe njerëzimi do të shpërndajë kulturën e vet në hapësirë. Pionierët dhe profesionistët më të mirë do ta bëjnë këtë më të lehtë për të gjithë”, thotë Vlad Sitnikov për “Futurism”.
Ekrani Orbital do të programohet për të shfaqur logo në qiell 3 ose 4 herë në ditë. Edhe pse kjo mënyrë reklamimi nuk është testuar ende, zbatimi i kësaj ideje duket i vështirë kur vjen puna te rregulloret dhe standardet që përcaktojnë fushatat ndërkombëtare.
Në kushtet kur duket teknologjikisht e mundur, por është në pikëpyetje kur është fjala për t’iu nënshtruar ligjeve që rregullojnë reklamimin në nivel ndërkombëtar, as konsumatorët nuk duken shumë të kënaqur.
Shumë komente poshtë videos promocionale në rrjetet sociale janë negative. “Një ide e tmerrshme. Uroj të mos realizohet kurrë. Do të bojkotoj çdo kompani që reklamon në këtë mënyrë”, shkruan një komentues.
Edhe pse një risi, ky projekt nuk është i paprecedent. Një kompani e ngjashme në Japoni planifikon të krijojë shiun artificial të meteorëve, ndërsa Kina ka hedhur idenë e një Hëne artificiale në orbitën e Tokës.



