
Pas më shumë se një jave ndërprerjeje, bizneset në vend u përballën me një situatë të paprecedentë, si pasojë e bllokimit të platformës SelfCare të fiskalizimit. Ndërprerja pengoi lëshimin e faturave të fiskalizuara, duke shkaktuar vështirësi të shumta në aktivitetin e përditshëm të subjekteve tregtare.
Eksperti i ekonomisë, Igli Tola, në një intervistë për “MCN Live”, analizoi shkaqet dhe pasojat e kësaj situate, duke theksuar se problemi nuk qëndron vetëm te ndërprerja teknike, por te mënyra se si mirëmbahen sistemet digjitale.
Kjo nuk është hera e parë që sistemet e digjitalizuara në Shqipëri përballen me goditje të tilla, duke nënvizuar se të dhënat sensitive të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare janë të brishta dhe shpesh të pambrojtura ndaj sulmeve kibernetike apo ndërprerjeve të gjata teknike.
Sapo të dhënat janë të pambrojtura, rritet ndjeshëm rreziku ndaj tyre.
Dalja ose komprometimi i të dhënave të bizneseve mund t’i dëmtojë ata seriozisht në treg.
Sipas Tolës, përgjegjësia kryesore bie mbi shtetin, i cili duhet të sigurojë përditësimin, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të sistemeve digjitale.
Ne kemi një tendencë për të vrapuar drejt digjitalizimit, pa kryer më parë ‘detyrat e shtëpisë’.
Nuk kemi sisteme të forta mbrojtëse, nuk kemi mirëmbajtje adekuate dhe për pasojë këto platforma mbeten tepër të brishta ndaj sulmeve apo ‘blackout’-eve si ky i fundit.
Kostoja më e lartë nuk është ngritja e sistemit, por mirëmbajtja që duhet të kryhet vazhdimisht për këto shërbime.
Pasojat janë shumë më të gjera sesa fakti që bizneset nuk përdorën sistemin për një javë. Kostoja reale është edhe psikologjike, por mbi të gjitha imazhi që krijohet për vendin.
Një investitor i huaj që dëgjon për raste të tilla, kuptojnë se sistemi funksionon në mënyrë amatore. Kjo e bën vendin më pak atraktiv dhe largon investimet e huaja.



