
Deputeti Aldo Bumçi e cilësoi aktin e djeshëm të hyrjes në selinë e Partisë Demokratike si zbatimin e kuvendit të 11 dhejtorit.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Bumçi tha se gjërat kanë ndryshuar dhe se Basha tashmë është shkarkuar me vullnetin e mbi 4 mijë demokratëve. Ai gjithashtu ftoi demokratët të shkojnë të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë më 18 dhjetor.
“Do ketë shtrirje në çdo degë, do njoftohet ora ku demokratët në çdo zonë do shprehin vullnetin e tyre dhe ringritjen e PD”, tha Bumçi.
Intervista:
Z. Bumçi, e nisim duke u pyetur. Çfarë ishte ajo që pamë dje ne PD sipas jush? Shumë e lexojnë një tregim force, të tjerë si akt provokimi.. Për ju çfarë ishte?
Bumçi: Ishte zbatimi i kuvendit të 11 dhjetorit. Nëse ka tregim force ishte kuvendi i 11 dhjetorit. Shkallët e stadiumit ishin plot me mbi 9 mijë persona dhe ky manifestim i besimit dhe entuziazmit u kurorëzua me kuvendin e 11 dhjetorit. Demokratët e shprehën qartë. Gjërat tashmë kanë ndryshuar. Ne shkuam për të zbatuar atë vendim pasi Basha është shkarkuar me mbi 4000 vota. Më 18 dhjetor ne ftojmë të gjithë demokratët të shkojnë të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë.
Z. Bumçi, si do vijojë lëvizja Berisha? Çfarë mbështetje prisni të merrni, në 18 dhjetor, kur ju keni thirrur referendum të anëtarëisë?
Bumçi: Tani të gjithë ne jemi të angazhuar për referendumin e datës 18, do ketë shtrirje në çdo degë, do njoftohet ora ku demokratët në çdo zonë do shprehin vullnetin e tyre dhe ringritjen e PD. Tashmë Basha i takon së kaluarës dhe unë i bëj thirrje deputetëve të përfaqësojnë demokratët aty ku ata i thërrasin. Aty ishin ata. Basha përfaqëson të kaluarën.
Ju thoni se Berisha është e ardhmja. A do mundet Berisha, nëse kthehet në krye të PD, të tërheqë edhe votat e elektoratit gri?
Bumçi: Në politikë edhe në vende të tjera ka pasur rikthime. Nuk është vetëm dëshira e tij. Foltoret e mbushura plot me entuziazëm tregojnë qartë që demokratët i kërkojnë Berishës të bëhet guri i themelit. Demokratët me votën e tyre do përcaktojnë përfaqësuesit e tyre. Duhet të fillojmë projekte të fuqishme, demokratët le të jenë edhe kritikë por të jenë pjesë e krijimit të një fronti opozitar kundër Edi Ramës.
Mendoni se më 18 do ketë momente tensione?
Bumçi: S’ka asnjë tension këtu. Demokratët do votojnë në gjithë Shqipërinë. Kjo u pa më 11 dhjetor. A mundej Basha të bënte një takim të tillë? Basha iu kërkoi demokratëve çdo sakrificë dhe ata e bënë kur ai i thirri, por gjuhën që ai ka përdorur me demokratët duket se nuk e ka përdorur me Ramën.



