Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike Sali Berisha ka thirrur një protestë pasditen e 7 korrikut kundër situatës së vështirë me të cilën do të përballet vendi, por edhe kundër keqqeverisjes.
Teksa PD është e ndarë në dy krahë ata pro-Berisha dhe të tjerët pro grupimit Basha-Alibeaj, protesta duket se i afron të gjithë.
Disa nga deputetët e etiketuar si të “grupit Alibeaj”, shprehen se do të marrin pjesë në protestë.
Deputetja Dhurata Çupi pohoi se do të jetë në protestë, ashtu sikundër Agron Gjekmarkaj i cili pohoi se nëse do të jetë në Shqipëri do të marrë pjesë.
Deputeti tjetër Xhelal Mziu deklaroi se 7 korriku është betejë për gjithë qytetarët shqiptarë, duke pohuar se do të jetë pjesë e protestës.
Deputetja demokrate Grida Duma deklaroi se do të angazhohet për të thirrur njerëz në protestën e 7 korrikut.
Duhet të kuptojmë qartë se grupi parlamentar duhet të ketë prestigjin dhe të konsultohen të gjithë deputetët për strategjinë që do ndiqet, besoj se protesta do i bashkojë demokratët. Kontakt me kolegët që janë në grupe do të mbajmë patjetër.
Nga ana e tij deputeti Ervin Salianji deklaroi se protesta e 7 korrikut duhet mbështetur dhe se kushdo duhet të bëjë maksimumin.
Përgjegjësia është e atyre që janë thërritur. Pa diskutim ata janë në të drejtën e tre të bëjnë grupe pune dhe deputetë të tjerë janë të drejtën e tyre të bëjnë grupe të tjera pune.
Nuk mund të bëhen grupe pune në mënyrë të njëanshme dhe të paorganizuar. Shqipëria ka 1001 arsye për të protestuar. Shqipëria varfërohet më shumë dhe gjithnjë e më shumë largohen nga Shqipëria. Ky është themeli i protestës.
Flutura Açka deklaroi se nuk do të jetë në Shqipëri për probleme personale, por shtoi se gjithë kohës ka qenë pjesë e protestave dhe se protestat i ka bërë me fjalën e saj.



