Nga hetimet po rezulton që grupi kriminal i AKSHI-t ka qenë përfitues edhe te “Durana Tech Park”. Duke folur në “Mcn Economy” gazetari Denis Dyrnjaja e konsideroi projektin një gënjeshtër të neveritshme. Ai flet për një skemë manipulative, të rrejshme, për të justifikuar gllabërimin e fondeve përmes letrave, por që rezultoi se letrat nuk ishin kopsitur në perfeksion.
“Është një gënjeshtër e neveritshme. Sa herë shoh këtë foto them me vete ku arrin marrëzia e mashtrimit në këtë vend që të flasësh për teknologji, inovacion dhe përpara të kesh një fakt të tillë siç është kjo toka djerrë në Xhafzotaj të Durrësit. Është guxim i jashtëzakonshëm si këta njerëz kanë vepruar në këtë mënyrë pa pikën e drojës, duke mashtruar në këtë lloj mënyre. Po KLSH është kujtuar të bëjë një verifikim çfarë ndodh me AKSHI-n?
Duhet të dalë me një raport publik dhe të thotë kemi bërë këtë verifikim. Të kuptojmë cila ka qenë marrëdhënia me transparencën. Dëgjojmë gjithë kohën që ka tendera sekretë dhe vendimmarrje sekrete, kalojnë fonde, dhe vetëm kur shohim fatura që paraqiten në thesar. Siguria kibernetike ka marrë 15 milionë euro, ndërkohë që në realitet është tokë, e rrëzuar, si puna e asaj arës. E katërfishuam buxhetin për sigurinë kibernetike ndërkohë që sistemi bie. Çfarë bën KLSH? Thjesht vegjeton? Kap ca Ujësjellësa dhe drejtori të zakonshme. Këtu është derri i madh ku është bërë nami me paratë.
Edhe fotoja me Presidentin francez është në kuadër të mashtrimit të madh me Duranën. E gjitha skemë. Që nga Kushtrim Shala, që është ai tipi që merret me fushën e promovimit të projekteve të reja, e gjitha është një skemë manipulative, e rrejshme, për të justifikuar gllabërimin e fondeve me letra. Letrat janë të bëshme, të bukura, përpiqen t’i kopsisin, edhe pse s’kanë arritur dot në perfeksion t’i bëjnë”.



