Në studion e MCN Informacion u diskutua në lidhje me gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së: ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi; ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi; dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Evarist Beqiri, pedagog dhe jurist, tha se shqiptarët e Kosovës kanë rastin për t’i dëshmuar botës së ishin viktima të luftës.
Politologu Argjend Zejnaj tha se dënimi që ka kërkuar akuza tejkalon masën e një dënimi normal. Ai shtoi se ka ende kohë që të përdoren instrumentet politike për të ndërgjegjësuar opinionin ndërkombëtar.
Ndërsa analistin Ardit Gjinali tha se liderët në Kosovë e Shqipëri janë përqendruar më shumë te lufta e brendshme politike, duke lënë mënjanë kohezionin kombëtar që kërkojnë çështje të tilla.
Evarist Beqiri
Po të shikojmë parimet mbi të cilat ndërtohen gjykime të tilla, në Nuremberg u gjykuan nazistët. Flitet për ushtrinë e kuqe. Pati krime. Edhe për aleatët ka pasur dyshime. Por kush ishin kasapët? Ishin nazistët.
Po të bëjmë pyetjen çfarë ngjashmërie ka?
Në rastin e nazistëve kishte një makineri lufte shtetërore. Në rastin e UÇK nuk ka paralelizëm. Ishin serbët ata që bënë krime në Kosovë. Gjykime të tilla rrezikojnë të vendosin njëfarë balance dhe ne nuk do ta lejojmë këtë. Kosova nuk ka si të gjykohet aty. Një popull që luftoi për lirinë e vet nuk gjykohet. Është një shans për t’i treguar botës se ishin viktima në këtë luftë. Të mos krijojmë mite të rreme. Kosova nuk çlirohej dot pa aleatët. Masakra dhe krime pa fund. Nuk na vlen që ne të bëjmë viktimën edhe tani. U fitua lufta me aleancë vlerash.
Argjend Zejnaj
Mbetet një masë nga prokuroria, e cila është një organ që ndërton akuzën. Mbetet një masë që është ekstreme. Për të katër të akuzuarit është parashikuar e njëjta masë sigurimi. Dënimet nuk mund të jenë të njëjta për secilin, edhe sikur të bëhej fjalë për një grup kriminal. Nëse i kthehemi procesit në vetvete, të gjithë kanë kërkuar, përfshirë edhe 4 përfaqësuesit e UKÇ, drejtësi dhe jo politikë. Shpesh duket e vështirë për të dalluar drejtësinë nga politika. Personalitetet janë politike, kanë qeverisur Kosovën. Mund të kemi çdo ditë kritika për punën pas pavarësisë, por kjo tejkalon individët politikë. Nëse duhet ashtu siç është realisht e nevojshme, personalitetet përkatëse, çështja e tyre duhet të trajtohet në syrin e drejtësisë, përtej asaj që përfaqësojnë këta individë politikë. Kjo masë tejkalon masën e një dënimi normal dhe rrezikon kauzën e rëndësishme të një lufte çlirimtare sublime. Mbetet një moment reflektimi edhe sot sa i takon drejtësisë. Ende ka kohë që të bëhet më shumë në inkurajimin e instrumenteve politike për të ndërgjegjësuar një opinion ndërkombëtar.
Ardit Gjinali
Njerëzit janë mbajtur peng në Gjykatën Speciale dhe kjo pengmarrje nuk duhet të konkludojë me burg për asnjë prej drejtuesve të UCK.
Përtej reagimit të kryeministrit Rama, unë mendoj që Shqipëria, përtej syve të publikut, uroj të ketë përdorur të gjithë instrumentet politike për të qenë në krah të një çështjeje që është e rëndësishme që kalon përtej faktit që ajo gjykatë është e Republikës së Kosovës por që prek çështje që prekin hapësirën e gjithë shqiptarisë.



