Bashkia Shkodër lë pa strehë shtetasin Agim Roshkodol

Bashkia Shkodër lë pa strehë shtetasin Agim Roshkodol

Në redaksinë e emisionit “Xhadat” në MCN TV është ankuar një qytetar 82-vjeçar nga Shkodra, Agim Roshkodol, i cili denoncon se Bashkia e Shkodrës e ka lënë pa strehë pas shembjes së çatisë së banesës së tij, pa asnjë paralajmërim dhe pa i dhënë asnjë zgjidhje alternative. 

Ngjarja ka ndodhur më 19 shtator, kur punonjësit e IMT-së kanë shkuar për të prishur çatinë e shtëpisë së tij në lagjen “Dudas”.

Sipas Roshkodolit, ai është pronar i një të katërtës së shtëpisë, konkretisht i katit të tretë. Ai tregon se nuk i është lënë asnjë akt konstatimi apo akt prishjeje, ndërkohë që prej asaj dite, bashkia nuk i është gjendur më pranë.

Kjo është një shtëpi e vjetër dhe tjegullat i kishin humbur vetinë e tyre për të mbajtur ujin e shiut. Bëra një kërkesë në bashki për rregullimin e çatisë, por më sollën një përgjigje me nenin 6. Nuk e di çfarë është neni 6 apo 7, por ma kthyen përgjigjen që unë mund ta punoja vetë. E ndërtova çatinë, nuk u interesuan fare, por pas një viti erdhën dhe ma shembën.

Ai shprehet se ka takuar disa herë nënkryetarin e bashkisë, i cili i ka thënë se “po ta dinim që ke ardhur për këtë punë, nuk do të të kishim pritur”, ndërsa drejtori i IMT-së, sipas tij, i ka thënë “ne jemi për të prishur, jo për të rregulluar”.

Pas shembjes, Roshkodoli thotë se gjithçka brenda banesës është shkatërruar.

Çdo gjë u dëmtua. Dyshekë, mobilje, gjithçka. Edhe brumi i tyre ka qenë i dobët, por stuhia dhe pisllëku shkatërruan gjithçka.

Shyqyr jemi mirë unë dhe gruaja, por shtëpia ka marrë fund”, shprehet ai me dhimbje.

Sipas denoncuesit, çatia ishte e ndërtuar rreth 100 vjet më parë dhe kishte nevojë urgjente për rikonstruksion.

Kjo nuk ka ndodhur as në komunizëm që të shembin çatitë. Në Theth po shemben ndërtesa, në Kabul e Palestinë shemben shtëpi, por jo çati. 

Kjo çati ka dashur bërë nga bashkia, por e bëmë vetë dhe ata na e shembën. As plasmas nuk më lanë të vë. 

Mos duan të më shembin gjithë shtëpinë? Jam 82 vjeç dhe nuk kam parë ndonjëherë diçka të tillë.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë dhomën e përmbytur dhe dëmet e shumta në katin e tretë, por edhe në katin poshtë tij, për shkak të ujit që ka depërtuar pas prishjes së çatisë.

Roshkodoli akuzon se bashkia ka rregulluar çatitë e disa banesave ngjitur, ndërsa të tijën e ka lënë në harresë.

Të gjitha çatitë përreth i ka ndërtuar bashkia, madje i ka bërë edhe me sistem kapot, ndërsa tonën vetëm e lyen me bojë. Çatia jonë ishte më e vjetra.

Në këtë histori është përfshirë edhe Kristaq Kolemico, i cili është ndjekur dhe penalisht për këtë çështje edhe pse nuk është prona në emër të tij.

Nusja e tij është trashëgimtare e një nga pronat e kësaj ndërtese që ndodhet po ashtu në katin e tretë. Nuk e di ku e marrin guximin punonjësit e bashkisë të shembin pronën. 

Kam takuar kryetarin e Bashkisë tre herë dhe më tha të vazhdoja procedurat me personelin. Bëra deklaratën e punimeve, më thanë ‘rregulloje’. 

Shemba çatinë e vjetër dhe zgjodha panel sanduiçi për të re, me formë si tjegull. Gabova që nuk mora firmë. 

Nënkryetari më tha ‘mbuloje me qese’, e mbulova dhe i dërgova foto dhe i thash e bëra sipas qefit tuaj. Pastaj erdhën dhe e shembën.

Ekipi ynë u drejtua edhe në Bashkinë Shkodër për të marrë një prononcim zyrtar. Fillimisht, drejtori i medias nuk pranoi të japë sqarime dhe u përfshi në lojëra fjalësh, derisa vetë banori e ndërhyri duke i kujtuar se e ka takuar më parë për këtë çështje.

“Mos i thuaj gazetarit ‘nuk e di’, se unë kam qenë këtu dhe ti e di shumë mirë”, i tha banori, ndërsa ai thotë “unë nuk kam informacion” ndërkohë që po jep informacion.

Më pas, drejtori i IMT-së Shkodër i pyetur se cilat janë masat ligjore që morën për vendimin e prishjesh së çatisë së shtetasit Agim Roshkodol deklaroi se gjithçka është bërë sipas ligjit dhe se qytetari është njoftuar zyrtarisht duke vendosur në dispozicion një dokument për “Xhadat” dhe tha se do jua shpjegoj dhe unë, por pasi iu kërkua të na e shpjegojë sepse Agimi nuk ka marrë asnjë procesverbal apo akt konstatimi nga ana juaj.

E kemi njoftuar personalisht Agimin, por ai nuk ka pranuar të firmosë. Ja kemi dërguar me postë dhe është kthyer mbrapsht, ndaj ia kemi futur poshtë derës së shtëpisë”, shprehet drejtori.

Sipas tij, prishja nuk ka qenë e lehtë, pasi banorët nuk i kanë lejuar të afrohen dhe është përdorur vinçi për të ndërhyrë nga lartësia.

Pas gjithë përpjekjeve për të marrë një sqarim zyrtar nga bashkia, gazetarët nuk u lejuan të takonin më askënd tjetër që mund të jepte një zgjidhje për rastin. Drejtori i medias tha se “takimin e morët me drejtorin dhe s’keni më asnjë takim”.

Në fund, Agim Roshkodoli, me lot në sy, shikon nga qielli dhe thotë:

Kurrë s’e kam menduar se shteti do më linte në qiell të hapur. Nuk mundem më me e rregullu, edhe me dashtë. Paçin faqen e zezë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy