Partia Socialiste mbledh Asamblenë Kombëtare këtë të premte, më 4 shtator. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në Elbasan.
Gjatë mbledhjes janë bërë edhe disa ndryshime të drejtuesve politikë të qarqeve.
Kështu, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, merr drejtimin e socialistëve të qarkut të Shkodrës. Ai zëvendëson në këtë detyrë Valdrin Pjetrin, i cili u lirua edhe nga detyra e drejtuesit politik pasi reultoi subjekt i ligjit të dekriminalizmit.
Tirana do të ndahet mes 3 drejtuesve: kryebashkiaku Erion Veliaj, Elisa Spiropali si dhe Ervin Bushati që do të jetë dhe kryetar.
Ndërsa në Kukës, largimi i Ilir Beqajt në Shkodër i hap vendin Safet Gjicit. Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, do të mbetet në Lezhë.
Ndërkohë, drejtimin politik të qarkut të Durrësit, kryesocialisti Rama ka menduar ta marrë vetë, duke larguar Vangjush Dakon. Socialistët e qarkut që po përballet ende me pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëntorit 2019 do të drejtohen në zgjedhjet e vitit të ardhshëm nga kryeministri.



