Serbia i është drejtuar me kërkesën zyrtare Francës, për ekstradimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas “Kurir”, gjashtë ditë nga arrestimi, ministria serbe e Drejtësisë e ka dërguar kërkesën zyrtare për ekstradimin e Ramush Haradinajt.
Sipas medias serbe vendimi është përkthyer në gjuhën frënge dhe i është dorëzuar gjykatës së Colmarit. Bashkë me kërkesën për ekstradim Serbia ka dërguar edhe dokumentacionin në gjuhën franceze, në bazë të të cilit sistemi francez i drejtësisë do të vendose nëse janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.
Me këtë vendim pritet përshpejtimi i procedurës në rastin Haradinaj, ndërkohë që ai ndodhet në paraburgim, pasi gjykata kërkoi fakte shtesë nga Serbia.
