
Në një konferencë për shtyp në samitin e NATO-s në Bruksel, i pyetur nga gazetarët lidhur me ecurinë e bsiedimeve me Shqipërinë, për kufirin Tsipras është shprehur se jemi shumë pranë zgjidhjes. "Dy çështjet e mbetura, përveç zonës ekonomike ekskluzive, janë çështja e gjendjes së luftës dhe kufijve, që ne jemi shumë afër gjetjes së një zgjidhjeje. Çështje të cilat, megjithëse kemi përparuar në një pikë jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk mund të themi se janë përfunduar", ka thënë Tsipras.
Nisur nga këto deklarata, mediat greke kanë ngritur pikëpyetje të mëdha lidhur me termin “kufij” të përmendur nga kreu i qeverisë greke, ndërsa shtojnë se kjo çështje mbetet për t’u sqaruar në vijim. Deklaratat e tij se qeveria e tij nuk është nën ndonjë presion të veçantë për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Shqipërinë - gjendjen e luftës dhe kufijtë, për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë, duken shumë konfuze dhe paradoksale për median greke. “Nëse deklaratat e tij nuk mund t'i atribuohen një gabimi gjuhësor, atëherë kryeministri grek pa dyshim ka zbuluar se Athina është në bisedime me Tiranën për një ndryshim të mundshëm të kufijve”, vijojnë më tej sqarimin mediat fqinje.
Edhe vetë Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, deklaroi më herët se Athina dhe Tirana po diskutojnë ndryshimet e kufirit, çka lë nënkupton se qëndrimet e shprehura nga kryeministri grek bëhen më alarmante. A është Greqia në bisedime sekrete me Shqipërinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet kufitare, duke ndryshuar kufijtë? Është një ndër pyetjet enigmatike që ngre media greke. Pyetjen e shtrojnë në një kohë kur sipas tyre, administrata “Tsipras” arriti të zgjidhw në një kohë të shpejtë çështjen e emrit me Maqedoninë, çka u hapi rrugë edhe bisedimeve për pranimin e saj në NATO.



