Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori Ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, ishin sot në qendrën e vaksinimit antikovid në “Air Albania”.
Kryeministri theksoi se “ai na hapi derën në momentin më të vështirë kur ne shkuam në Nju Jork për të trokitur në derën e Pfizer në kushtet kur nuk kishim asnjë perspektivë të qartë pasi gjithë vendet e rajonit nuk u përfshin në skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave”.
“Folëm gjatë në Nju Jork edhe pse nuk na premtoi aty për aty që çështja do të zgjidhej na dha fjalën se do të bënte gjithçka për ta zgjidhur. Falë angazhimit të tij ne mundëm të marrin vaksinat më parë se sa gjithë të tjerët”, tha Rama.
Kryeministri i shprehu Shefit të Pfizer edhe njëherë, atë që e ka shprehur në mënyrë të përsëritur, mirënjohje pa fund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve.
Shefi i kompanisë Pfizer, Albert Bourla tregoi detajet e takimit me kryeministrit Edi Rama në New York.
‘Kisha mundësinë ta takoja personalisht kur erdhi në New York. Isha i impresionuar pasi ishte një kohë kur askush nuk udhëtonte, i ofrova një video-call por erdhi personalisht. E ftova në zyrat tona, ishte e qartë se jo vetëm se donte t’ja dinte për vendin por dhe që të bëhej vaksinimi. Isha shumë i lumtur që munda të ndihmoj Shqipërinë. Dua t’ju them se është ndihmë e madhe, nuk do ta harroj kurrë dhuratën që më dhatë, piktura që e kam në zyrën time.’– u shpreh Bourla.
11:40h-Rama dhe Manastirliu mikpresin shefin e Pfizer/ Bourla inspekton kushtet e ruajtjes së vaksinave
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë mikpritur sot shefin e kompanisë Pfizer, Albert Bourla, i cili ka parë nga afër ambientet në QSUT, ku ruhen vaksinat Pfizer.
“Me kënaqësinë e mikpritjes në Shqipëri të shefit të kompanisë Pfizer, Albert Bourla, për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave dhe për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me vaksina Pfizer, në përmbushje të planit të vaksinimit AntiCovid dhe angazhimit tonë të palëkundur, për të siguruar vaksinat deri në fund të kësaj përballjeje”, shkruan Rama.
Me këtë rast, minsitrja Manastarliu bëri me dije se brenda shtatë ditësh do të vijnë në Shqipëri 170 mijë vaksina Pfizer.
Vizita e Bourla-s erdhi për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave. Ai siguroi vazhdimësinë e furnizimit me vaksina Pfizer.



