Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka mohuar se ka probleme shëndetësore, pasi u raportua se gjatë natës ai u dërgua me urgjencë në spital.
"Jam mirë. Unë do të shkoj në një turne sot duke filluar në mesditë, " i tha udhëheqësi serb rrjetit rus të lajmeve Sputnik të premten në mëngjes.
Vuçiç planifikohet të vizitojë qytetin e Zajeçarit në Serbinë lindore më vonë gjatë ditës dhe më pas të mbajë një fjalim në komunën e afërt të Sokobanjës.
Disa media në Serbi pohuan se presidenti ishte shtruar në spital gjatë natës për trajtim urgjent.
Thashethemet u nxitën nga disa postime në mediat sociale ku mes të tjerash pretendohej se Vuçiç nuk ishte dërguar në një institucion mjekësor ushtarak ku trajtohen normalisht zyrtarë të lartë të qeverisë.
Të martën, presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan iu desh të ndërpresë një intervistë të drejtpërdrejtë pasi u ndje i sëmurë. Episodi nxiti spekulime se ai vuante nga një sëmundje e zemrës.
Presidenti turk tha se vuante nga një infeksion i lehtë dhe se mjekët e kishin këshilluar të qëndronte në shtëpi për një ditë.
Ai më pas mori pjesë në ceremoninë e hapjes së centralit të parë bërthamor të Turqisë të enjten nëpërmjet një video-konference.



