
Pas afro 8 orë diskutimesh, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dërgojë për gjykim dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në ambientet e jashtme të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Tahiri u shpreh për mediat: “Unë i kërkova Prokurorisë që të bëjë një akuzë të saktë dhe të qartë. Ndërkohë që nga sot e tutje që mbaron hetimi, do flas dhe unë në gjykatë dhe për publikun. Ky nuk mund të jetë më proces i mbyllur. Nuk mund të jetë më një proces kur provat trafikohen. Ky proces i ka kapërcyer kufijtë e një maskarade. Edhe them që do ia dal. Çdo kusur që po përjetoj tani, do ia dal deri në fund”.
Më herët, avokati i Tahirit kërkoi pushimin e kësaj çështjeje, pasi sipas tij, nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e klientit të tij.
Ish-ministri Tahiri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal.



