Vazhdojnë akuzat në adresë të qeverisë Rama për ndryshimin e vendbanimeve të qytetarëve pa asnjë kërkesë nga ana e tyre, me qëllim manipulimin e rezultateve zgjedhore.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi akuzon kryeministrin Rama se ka ndryshuar ligjin e Gjendjes Civile me qëllim manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bylykbashi shprehet se Rama po ndjek të njëjtën skemë që ka ndjekur edhe në zgjedhjet për kryetar bashkie duke “internuar” qytetarët nga njëri të Shqipërisë në tjetrin.
Sipas tij, qytetarët janë duke u ankuar çdo ditë si i kanë ndryshuar vendbanimin pa asnjë kërkësë nga ana e tyre.
"Ndryshimi i fundit i ligjit te Gjendjes Civile me ndikim ne zgjedhje, vetem 5 muaj para zgjedhjeve, ndryshim me te cilin Qeveria heq sanksionet per mosdeklarim te vendbanimit, jane vetem nje perpjekje e radhes e Rames qe te legjitimoje shkeljet dhe kaosin e listave te zgjedhesve. Çdo manipulim ne regjistrat e gjendjes civile eshte manipulim i listave te zgjedhesve. Edi Rama po i kthen standartet e zgjedhjeve tek niveli skandaloz i viteve 2000-2003. Por keto manipulime te trasha po dalin mbi uje, do te bllokohen dhe shkelesit e ligjit deri tek nepunesit e gjendjes civile qe fallsifikojne te dhenat do te pergjigjen", shkruan ish-deputeti.
Por kjo nuk është e vetmja akuzë që i adresohet qeverisë për ndryshimin e vendbanimeve, pasi ditën e djeshme edhe ish-deputeti Vangjel Tavo nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka denoncuar se emrin e tij e kanë hequr nga gjëndja civile e Dropullit për ta zhvendosur në një tjëtër zonë.
Ish-deputeti Tavo shkruan se bashkë me të janë edhe 300 banorë të tjerë të Dropullit të cilëve i është zhvendosur vendbanimi pa asnjë kërkesë.
Sipas Tavos ky nuk është një gabim njerëzor, por një plan i qëllimshëm elektoral që duhet ndaluar.
Në lidhje me këto akuza, ka reaguar edhe Ministria e Brendshme me një njoftim zyrtar duke i cilësuar këto akuza si të pavërteta.
Ministria e Brendshme ka publikuar listat e votuesve së bashku me numrin rendor dhe qendrën e votimit duke nënvizuar kështu edhe emrin e ish-deputetit Vangjel Tavo, emri i të cilit sipas njoftimit të ministrisë vazhdon të jetë në Dropull.
‘’Asnjë çregjistrim arbitrar nuk është kryer, as për shtetasin Vangjel Tavo, as për familjarët e tij dhe për asnjë person tjetër, as në Dropull dhe as në ndonjë vend tjetër. Siç mund të shihet edhe në listën e publikuar në mjediset e hapura të Bashkisë Dropull, një foto e së cilës i bashkëlidhet kësaj deklarate, shtetasi Vangjel Tavo është pjesë e saj me numrin rendor 370, Qendra e Votimit 4286/1, pranë Shkollës 9-vjeçare Jorgucat. Në po të njëjtën listë janë edhe emrat e familjarëve të z.Tavo.’’
Deklaratë e Ministrisë së Brendshme
Duke marrë shkas nga insinuatat e papranueshme të ish-deputetit Vangjel Tavo, të cilat janë amplifikuar më pas nga disa përfaqësues politikë dhe mediatikë, Ministria e Brendshme e gjen të nevojshme të informojë publikisht se:
1. Deklaratat e bëra publike në datë 18.11.2020 në rrjetet sociale nga ish-deputeti Vangjel Tavo janë absolutisht të pavërteta.
2. Asnjë çregjistrim arbitrar nuk është kryer, as për shtetasin Vangjel Tavo, as për familjarët e tij dhe për asnjë person tjetër, as në Dropull dhe as në ndonjë vend tjetër.
3. Në zbatim të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, Ministria e Brendshme ka publikuar deri tani 2 herë ekstraktet e listave e zgjedhësve për zgjedhjet e datës 25 prill 2021. Këto lista janë afishuar në mjediset e bashkive dhe njësive administrative në të gjithë vendin, ku përfshihet natyrisht edhe Bashkia Dropull.
4. Në mënyrë paralele ekstraktet e listave zgjedhore janë të publikuara në Portalin e-Albania, në të cilin çdo qytetar ka mundësi të verifikojë qendrën e tij të votimit.
5. Në të njëjtën kohë, Ministria e Brendshme, nëpërmjet Gjendjes Civile, me anë të shkresës nr. 7944/1, të datës 03.11.2020, i ka dërguar Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim një kopje elektronike të ekstraktit të fundit zgjedhor të bërë publik.
6. Në këto kushte, kanë ekzistuar të gjitha mundësitë që z.Tavo dhe partia ku ai bën pjesë, të verifikonin se asnjë lloj zhvendosje nuk është bërë, as për atë dhe as për personat e tjerë për të cilët aludohet në mungesë totale përgjegjshmërie.
7. Siç mund të shihet edhe në listën e publikuar në mjediset e hapura të Bashkisë Dropull, një foto e së cilës i bashkëlidhet kësaj deklarate, shtetasi Vangjel Tavo është pjesë e saj me numrin rendor 370, Qendra e Votimit 4286/1, pranë Shkollës 9-vjeçare Jorgucat. Në po të njëjtën listë janë edhe emrat e familjarëve të z.Tavo.
8. Shfaqja e emrit të shtetasit Tavo në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, në adresa të tjera të pronave të tij në Tiranë, apo në ndonjë vend tjetër, nuk ka lidhje dhe as nuk mund të ndryshojë qendrën e tij të votimit, por vetëm sa pasqyron një fakt sipas ligjit.
Në këto kushte, Ministria e Brendshme hedh poshtë me vendosmëri të gjitha përpjekjet për të dezinformuar opinionin publik përmes përhapjes së qëllimshme të informacioneve të rreme, të cilat nuk i bëjnë nder autorëve të tyre.
Ministria e Brendshme fton aktorët politikë dhe mediatikë që të përmbahen nga publikimi i lajmeve të pavërteta që lidhen me këtë temë, duke i lutur që të shfrytëzojnë mundësitë e shumëfishta për verifikimin e tyre në listat e publikuara, pranë bashkive, në listat që kanë marrë ose mund të marrin në çdo kohë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile si dhe portalin e-Albania, ku mundësia e verifikimit është e hapur për cilindo.



