
Kryeprokurorja Arta Marku nuk i kurseu kritikat ndaj prokurorëve të Tiranës gjatë analizës së këtij institucioni. Marku e vuri theksin te zvarritja e çështjeve të rëndësishme dhe u kërkoi prokurorëve të zhvillojnë hetime larg ndikimit politik.
“Në prokurorinë e Tiranës ngarkesa ka qenë më e madhe dhe si duket kjo ka ulur cilësinë dhe efektivitetin në punë. Nuk jeni përqendruar në çështje sa duhet. Çështje mjaft të rëndësishme janë zvarritur pa justifikim, rrinë në sirtare prej vitesh me një mungesë të theksuar përgjegjësie. Vërehen hetime të pakta dhe jo të suksesshme, kjo është përgjegjësi e secilit prej jush, përgjegjësi individuale. Kërkoj veçanërisht që të hetoni shpejt ato çështje ku ka vëmendje të shtuar nga opinioni publik. Ushtroni detyrën tuaj larg çdo ndikimi politik”,- tha ajo.



