Linda Pano, përfaqësuese e Koalicionit Pro Familjes, ndau në studion e MCN Informacion përvojën e saj në raport me familjen e bashkëshortit. Pano tha se ka pasur marrëdhënie shumë të mirë me motrën e bashkëshortit, ndërsa të njëjtën marrëdhënie ka krijuar vite më pas edhe me bashkëshorten e djalit.
Në 30 vjet martesë nuk jemi grindur kurrë me kunatat. Me motrat e mia mund të kem pasur, me kunatën asnjë hatërmbetje. Jam protektive ndaj saj. Kunata ka qenë adoleshente kur ne jemi martuar. Unë isha afër moshës së saj. Jam protektive ndaj saj njësoj si ndaj vajzës time.
Sidomos për vjehrrat nuk ka vajzë që të jetë mjaftueshëm e mirë për djalin e vet. Por sot kam mendimin që nusja e djalit tim është një vajzë fantastike dhe unë jam e lumtur për këtë fakt. Ata do të kenë kohën e tyre për t’u bërë një. Cikli i jetës duhet të kuptohet dhe të ndihmohet.
Në mënyrë të veçantë, ajo apeloi për mbështetjen e prindërve në moshë të thyer.
Çiftet e reja nga ana tjetër nuk duhet të braktisin prindërit. Më thyhet zemra kur shoh kaq prindër të vetmuar. Më është dashur disa herë të ndihmoj moshë të tretë që rrëzohen në rrugët e Tiranës. Ku i pyes më thonë që jetojnë vetëm dhe nuk kanë asnjë njeri që të kujdeset për ta. Prindërit mundohen shumë t’i rrisin fëmijët. Mundohen shumë por në momentin që prindi ka nevojë është turp që ta lësh të vdesë vetëm. Sepse kemi pasur raste të tilla plot.



