Pak ditë nga marrja e presidencës së BE-së, Kroacia konfirmon mbështetjen e saj për Ballkanin Perendimor, e në veçanti për dy vendet e rajonit, Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, në një konferencë për gazetarët në këtë fillim viti tha se vendi i tij do t’i kushtojë një vëmendje të madhe çështjes së zgjerimit, veçanërisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne do të përpiqemi të vijojmë përpjekjet tona para samitit, të urojmë dhe zhbllokojmë atë që, për fat të keq, nuk u vendos në tetor të 2019-s në Këshillin Evropian. Ne do të përpiqemi të gjejmë mënyrën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mali i Zi dhe Serbia janë tashmë duke negociuar, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, të cilat duhet të fillojnë negociatat, së bashku me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat janë objektivat tanë në këtë moment”, tha ai.
Ndërsa dy shtetet më të fuqishme të Europës, Franca dhe Gjermania kanë shfaqur skepticizmin sa i takon çështjes së zgjerimit, presidenca e BE-së e kryesuar nga Kroacia pritet të fokusohet në reformimin e vetë unionit.
“Ekzistojnë katër shtylla themelore se si Kroacia e sheh kontributin e saj në aktivitetet e Unionit. Ne jemi në fillimin e një cikli të ri institucional, komisioni filloi punën e tij në 1 dhjetor, po ashtu edhe Presidenti i sapozgjedhur i Këshillit. Ky kontekst i presidencës sonë është specifik. Prioritetet tona janë një Evropë në zhvillim, forcimi i ekonomisë, tregut të punës, konkurrencës. Ne do të përpiqemi të forcojmë dhe vazhdojmë politikën e kohezionit, e cila merr parasysh zhvillimin e barabartë të të gjithë anëtarëve të BE-së, veçanërisht ato më pak të zhvilluara”, është shprehur.
Tetorin që lamë pas, Bashkimi Europian i tha “JO” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave. Kjo për shkak të vetos së Francës, e cila këmbëngulte në reformimin e BE-së, ashtu sikurse edhe për çështjen e azilkërkuesve shqiptarë të cilët dyndeshin drejt Francës.



