Banorët e Bërxullës ishin sot në fokus të emisionit “Fol” të gazetarit Erjon Skëndaj. Kujtojmë që ata zhvendosën për herë të dytë protestën para Kryeministrisë, duke i bërë thirrje qeverisë për një shpronësim të drejtë.
Një prej banorëve të zonës, Muharremi, theksoi edhe një herë që firma e cila po operon në zonë nuk ka ende leje ndërtimi, ndërsa shprehet po ashtu se projekti devijon çdo ditë sipas interesave të oligarkëve.
Ndër të tjera ai vuri në dukje se investimi nuk është publik, por privat, dhe shteti do t'i japë çdo vit si garanci firmës një shumë prej 22,5 milionë euro.
Duke folur për MCN tv ai deklaroi:
Ne banorët që e morëm atë iniciativë, atë akt vetëflijimi, ishte neglizhenca totale e shtetit kundrejt kërkesave tona të vazhdueshme. Asnjë derë nuk na hapet, asnjë përgjigje nuk na kthehet. Te znj. Balluku kemi shkuar, z. Berberi ka prurë një përgjegjës zyre ku na ka shpjeguar si do bëhen shpronësimet. Kemi trokitur edhe te Kryeministrit.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit thotë që nuk ka leje ndërtimi nga firma. Në gjykatë s’kemi shkuar, sepse këtu te ne firma është e bllokuar nga banorët, nuk e lejojmë pa gjetur dakordësi me ne. Ligjin e interpretojnë sipas interesat e tyre pushtetarët, që u preken interesat, pasi kanë ofiqet e veta. Ligji e përcakton që para se të fillojë një investim, bëhet inventarizimi i pronave dhe njoftohen banorët. Edhe sot që firma ka 4 muaj që zhvillon aktivitetin, në derën e çdo banori nuk ka një shkresë. Ka bërë afërsisht 200 metra në mënyrë abuzive. Banorët s’kanë marrë asnjë qindarkë.
Ky projekt e shfaros këtë zonë komplet. Megjithatë ditën e parë, kemi thënë që s’jemi kundër projektit, por duhet të paktën të na vënë edhe ne vlerën e pronës sonë që është reale, dhe projekti i rrugës si do zhvillohet. Firma s’ka akoma leje ndërtimi. Ky projekt devijon çdo ditë sipas interesave të oligarkëve. Projekti është i devijuar. Projekti i parë ka qenë paralel me rrugën e aeroportit. Kur shkarkuam nga Google na doli projekti. Del projekti i parë që do zhvillohej përballë universitetit Epoka, që prekte 15 ha. I dyti prek 38, 9 ha tokë, prek trefshin”.
Muharremi citoi ligjin për shpronësimet publike, ku një prej neneve parashikon që çmimi i tokës fiksohet në tre muajit e fundit. Po ashtu ai tha se ka një akt noterial që tregon se në zonë është shitur tokë me 85 euro metri/katror që në vitin 2010. Gjithashtu ai publikoi një dokument sipas së cilit në tetor të 2022-shit është shitur tokë me vlerën 50 euro metri/katror.
Ndërkaq, një banore 63-vjeçare, e cila u ngjit në shtyllën e tensionit të lartë si formë proteste, tha se është gati të vetëflijohet për tokën dhe banesën e saj, pasi shteti po i shkel me këmbë.
Prapë jam e gatshme, jo aty por edhe më lart. Një here do vdes, do vdes për token time, sepse shteti po na shkel me këmbë. Nuk e kam bërë shtëpinë me të vjedhur, por me mund e me djersë. Dola për t’i bërë thirrje shtetit që unë vetëflijohem për banesat e mia. Ne kërkojmë rrugë dytësore, çmimin e tokës, që të jetë real me çmimin e tregut. Po them 50-60 euro, mesatarja sa është shitur toka në zonën tonë. Shteti s’e merr përsipër, koncesionari jo, kush do të na dëmshpërblejë ne. Të vijë ai z.Berberi të ma gjejë token 4 milionë e gjysmë edhe ia marrë unë, është 60-70 milionë”.
Një tjetër banor, Ademi, publikoi një tjetër dokument ku tregohet se toka në zonë është shitur me 70 euro metri/katror, ndërsa foli për një korrupsion të madh shtetëror.
Dritani, një nga banorët që u ngjit në shtyllën e tensionit të lartë tha se në Shqipëri politika ka vdekur.
I kishim paralajmëruar që do ndërmerrnim veprime nga më ekstremet, siç ishte ai i fundit. Qeveria apo politika në Shqipëri ka vdekur.
Këta janë të gjithë në një linjë, linja e vampirëve, që çfarë gjejnë përpara do t’u thithin gjakun.



