Detaje të reja kanë dalë nga hetimet mbi vrasjen e dyfshtë të ndodhur në Velçan të Pogradecit në 18 shkurt. Burrë e grua, 26 dhe 23 vjeç, u gjetën të pajetë në një kasolle. Fillimisht dydhimet ranë mbi gruan, e cila mendohej se kishte vrarë fillimisht të shoqin e më pas veten. Por sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se bashkëshortët Fatbardha dhe Erzen Torra janë vrarë nga një i afërm i tyre, raporton sot “Gazeta Shqiptare”.
Babai i Erzenit, Avni Torra, duke folur për GSH, ka mohuar që nusja të ketë vrarë djalin e tij, duke hedhur dyshimet se dy bashkëshortët mund të jenë vrarë nga dikush tjetër. Trupat e pajetë u gjendën nga vëllai i Erzenit në një kasolle, afër banesës ku ata jetonin.
Nga hetimet e deritanishme të ngjarjes ka rezultuar se nuk është 23 vjeçarja Fatbardha autore e krimit, por një i afërm i familjes Torra. Dëshmia e babait të Erzenit, por edhe ato të fqinjëve të çiftit kanë bërë që hetimet të thellohen edhe në këtë pistë. Sipas deklarimeve të tyre, Fatbardha nuk kishte konflikte me bashkëshortin e saj, me të cilin kishte dy fëmijë. Vetë babai i Erzenit përjashtoi mundësinë që Fatbardha të ishte autore e krimit, pasi sipas tij ata kishin marrëdhënie shumë të mira me njëritjetrin, por edhe me familjarët e tjerë. Nisur nga kjo, ai kërkoi hetime të mëtejshme nga policia. Sipas burimeve për “GSH”, pista e re e hetimeve hedh dyshime se autor i krimit të dyfishtë mund të jetë një i afërm i familjes Torra. Mësohet se në banesën e çiftit ka pasur një sasi të konsiderueshme parash, të cilat ia kishin dërguar dy prindërit që jetonin prej kohësh në SHBA, por që janë zhdukur pas ngjarjes së rëndë. Dyshohet se personi që ka kryer krimin, të ketë pasur dijeni për këto para. Viktimës, Erzen Torra nuk i është gjetur as portofoli dhe as dokumentet e makinës. Ndërkaq, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dhe po vlerëson provat e gjetur, ndonëse ende nuk ka një persona të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje.



