
Presidenti Ilir Meta ka mbajtur një deklaratë për media mbrëmjen e së hënës, ku ka deklaruar se nesër do të publikohen përgjigjet për 72 pyetjet e Gjykatës Kushtetuese.
Meta tregoi gjithashtu se ditën e nesërme do të depozitohet kallëzimi në prokurori për Kuvendin.
"Dita e sotme ka patur disa zhvillime të papritura, prandaj dhe kemi dalë vonë sot dhe do ta kemi të vështirë që t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve, por nesër në orën 9:00 do të jenë të publikuara 72 pyetjet. Sot do t’u përgjigjemi disave që kanë më shumë interes për ju. Nesër do të dorëzojmë padi pasi është një gjë shumë e rëndë dhe tepër kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisisë të dorëzojë pa e kërkuar askush një provë gjoja të re që është vetëm një falsifikim për të justifikuar këtë proces farsë", tha Meta.
Gjatë konferencës, Meta shpjegoi edhe një prej deklaratave të forta të tij gjatë fushatës zgjedhore, që u përdor në seancat gjyqësore, ku ai u bënte thirrje qytetarëve që të mprehin sfurqet për të mbrojtur votën. Sipas kreut të shtetit, ajo deklaratë është bërë nisur nga një ngjarje e përjetuar nga vetë ai, ku banorët e Libofshës mund të merrnin mjetet e tyre të punës së përditshme.
“Në rastin e Fierit i referohet një ngjarje që vetë kreu i shtetit e ka përjetuar, ku u bënë bashkë banditët e policia dhe gratë e Libofshës u detyruan të rrëmbenin sfurqet, si mjete pune të banorëve të zonës, është e pakuptueshme që maxhoranca është shqetësuar për sfurqet kur ato nuk ndikojnë tek votat”, tha Meta.
Deklarata e presidentit më 21 prill 2021 ishte: Tani unë meqë për dy ore do iki në Vlorë dhe do kaloj në Fier, do iki vetë t’ja vë posterat e tij që të kënaqet ai, provokator i qelbur që kërkon të prishë ditën e dielës. Ti mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sopatat t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën dhe po u prek vota, do dalin kundër me presidentin në krye qytetarët e Fierit dhe Mallastrës. Se ky është problemi, që më vonë të thonë që kjo u bë me urdhër të Metës, se kështu thonë.
Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.



