
Ka nisur sot për diskutim në Komisionin e Jashtëm projektrezoluta për “Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”. Në fjalën para Komisionit, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuar sot nismen dhe tha se shkas për këtë është bërë rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian.
Kreu i grupit parlamentar të PS pohoi se ka pasur qasje të ndikimeve ruse mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo sipas tij, është faktuar nga studimi i kryer nga fondi “Marshall”.
Gjithashtu Balla shpjegoi edhe arsyet të cilat e kanë detyruar të ndërmarrë këtë projektrezolutë.
“Fonacioni “Konrad Adenauer” në studimin e tij thotë se influenca ruse ecën me moton: përça e sundo. Meqenëse vendi ynë nuk mundet të jetë imun ndaj dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja, kam ndërmarrë ketë projektrezolutë”-shtoi ai.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shfaqur hezitimin e tij lidhur me rezolutën për ndërhyrjet e huaja në zgjedhje në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme.
Bushati kërkoi të dijë nëse kjo rezolutë është diskutuar me qeverinë shqiptare, pasi tha se për këtë duhet një dokument i thelluar nga qeveria shqiptare
"Cili vend tjetër ka një rezolutë të tillë? A është rezoluta në përputhje me strategjinë kombëtare të Shqipërisë? A jeni konsultuar me qeverinë shqiptare për këtë rezolutë?", ngriti pyetjet ish-ministri.
"Qeveria shqiptare është përgjegjësi që koordinon disa institucione, qoftë ato që janë brenda sferës së drejtëpërdrejtë të saj por, edhe institucione të tjera. Duhet të kemi një dokument të thelluar nga qeveria shqiptare. Të gjithave dispozitave që përcakton kushtetuta shqiptare dhe lufta për informacionin e klasifikuar. Dal te pyetja e dytë. Dua të them se që në titull ne kemi një gabim po nuk dua t'i hyj këtij diskutimi pa pasur qëndrimin e qeverisë shqiptare, nuk dua që komisioni të hyjë në hetime të tilla. Unë e kam bërë kërkimin e duhur dhe kam vënë re se parlamentet kombëtare nuk kanë shkuar në këtë proces se natyra e tyre është demokratike. Mos harroni në vetëm pak javë Shqipëria zyrtarizon marrjen e kryesisë së OSBE. Ne kemi marrë disa zotime aty. Ne si komision duhet të dimë edhe qëndrimin e Sllovakisë edhe të Italisë dhe e fundit, këtu bie dakord me kolegun Gjoni. Të gjithë ata që janë marrë me përkthimin e rezolutës, nuk është një përkthim korrekt. Rezoluta e PE ka mbi 120 dokumente që citon të KE", tha Bushati ndër të tjera.
Bushati kujtoi se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, nuk është vend dordolec ky.
“Nëse doni ta bëni, bëjeni. Ne na duhet një qasje kombëtare për këtë proces siç e kanë të gjitha qeveritë shqiptare me të metat e tyre, me boshllëqet e tyre. Nuk mund të dalim jashtë kësaj tradite”.



