Steven Spielberg, një nga regjisorët më të njohur të Hollivudit, është në listën e njerëzve që do të ndihmojnë presidentin amerikan Joe Biden në fushatën e tij të rizgjedhjes, raportoi NBC të premten.
Spielberg, mbështetës prej kohësh i Bidenit, do të ofrojë strategjinë për Konventën Kombëtare Demokratike, e planifikuar të mbahet në 19-22 gusht në Çikago. Ai ka takuar organizatorët e eventeve, të cilët presin që më shumë se 5 000 delegatë nga 50 shtete të zgjedhin zyrtarisht kandidatët për presidentë dhe nënpresidentë të Partisë Demokratike.
Regjisori do të kujdeset për t'i "përcjellë sukseset e presidentit dhe vizionin e tij për vendin" tek delegatët dhe shikuesit ndërsa Biden, i cili pritet të zyrtarizohet si kandidati demokrat, përgatitet të përballet me ish-presidentin Donald Trump.
Spielberg ka qenë një prej donatorëve për garën e Biden dhe Harris. Ai u shfaq në një mega-mbledhje fondesh në dhjetor të vitit të kaluar, që u organizua nga miku i tij dhe ish-partneri i biznesit në DreamWorks, Jeffrey Katzenberg, po ashtu bashkë-kryetar i fushatës së Biden.



