Rreth 1.7 milionë shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria, në këtë përfundim ka dalë kompania e njohur e sondazheve “Gallup”. Nga ky rezultat Shqipëria renditet si vendi I 4 në botë prej të cilit njerëzit dëshirojnë të emigrojnë. Ndërkohë që Shqipërisë po I largohen të arsimuarit dhe profesionistët, sipas një prej analistëve të Gallup Jon Clifton, teksa ka folur një një intervistë për zërin e Amerikës, ka thënë se përsonat që duan të kthehen në Shqipëri janë të paarsimuarit dhe persona që nuk janë të rinjë.
“Kur shohim vendet e Ballkanit, problemi kryesor është rrjedhja e trurit. Kur pyesim njerëzit nëse duan të vendosen në Shqipëri, ata që shprehin dëshirë nuk janë njerëz të arsimuar, po ashtu nuk janë të rinj. Kur të rinjtë e arsimuar të një vendi duan të largohen dhe njerëzit që duan të vijnë në këtë vend nuk janë të arsimuar, atëherë vendi përballet me rrjedhje truri që duhet të përbëjë shqetësim serioz për udhëheqësit”
Clifton ka renditur edhe disa nga shkaqet kryesore se përse njerëzit të kategorive dhe moshave të ndryshme zgjedhin të largohen nga vendi, ku sipas tij në radhë të parë është mundësitë ekonomike, korrupsioni dhe siguria vetjake. Teksa ka shtuar se destinacioni më i preferuar mbetet Amerika.
“Kur shohim GDP-në për frymë, në një vend si Shqipëria apo nëse shohim fuqinë blerëse të qytetarit në Shqipëri, ky vend renditet i 100-ti në botë. Pra shumë njerëz besojnë se në Shqipëri nuk u ofrohen mundësitë ekonomike që mund të gjejnë diku tjetër. Shohim se tërheqja më e madhe për t’u vendosur në vende të tjera është ekonomia. Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm që njerëzit duan të largohen nga vendi janë korrupsioni dhe siguria vetjake.Vendi që tërheq më shumë njerëz në botë është Amerika. Njerëzit duan të vijnë në Shtetet e Bashkuara pasi këtu ka mundësi ekonomike si dhe pasi kanë njerëz të afërm këtu. Vendi tjetër ku duan të shkojnë shqiptarët është Gjermania, pas Shteteve të Bashkuara”.
Në anketën botërore të Organizatës Gallup, mes shteteve të Evropës, Shqipëria dhe Kosova ishin vendet me përqindjen më të lartë përsa i përket dëshirës për imigrim. 60% e pjesëmarrësve nga Shqipëria shprehen se do të donin të largoheshin, ndërsa Kosova renditet e trembëdhjeta me 46% të pjesëmarrësve që shprehin dëshirë për t’u larguar. Për Clifton popullata në shqipëri po ndjek rrugën e gabuar, që në kohën kur ka filluar tendencën e tkurrjes me 0.1%.



