Gazetari Ben Andoni thotë se korrupsioni në vend është sofistikuar, por mjetet për ta luftuar efektivisht nuk janë ende. Në studion e lajmeve, Andoni tha se opozita dhe as media nuk bëjnë pjesën e tyre.
Të gjithë bërtasin ndaj të gjithëve. Do të mjaftonte që shteti të funksiononte thjesht. Korrupsioni është sofistikuar në mënyrë të frikshme. Opozita më shumë po merret me imazhin e zotit Berisha dhe ka harruar problematikat që janë në vend. Media pjesa më e madhe është e kanalizuar ose majtas ose djathtas. Ka shumë pak që përcjellin problematikat e vendit. Shqipëria është e mbarsur me probleme sociale. E keni parë që ndodh një vrasje dhe ti kupton që nuk funksionon një sistem i tërë. Është i gjithë vendi ynë që kërkon një kurim të kujdesshëm. Një shqetësim që ngrini me të drejtë për korrupsionin, njerëzit e administratës që kanë bërë korrupsion duhet t’i thërrasin vetes. Zoti Rama duhet të jetë më i distancuar nga media, sepse është bërë i lodhshëm ndërkohë që ne realitetin e kemi para syve.
Andoni thotë se mbetet për t’u parë nëse eksperimenti me reformën në drejtësi ia ka vlejtur.
Ndërsa reforma në drejtësi për DASH dhe institucione të tjera është një kredo, për Shqipërinë është një mund shumë i madh. Gjykatat kanë mangësi. Shikoni rastin e PD, akoma shtyhet.
Shqipëria deri tani ka ndryshuar pa fund nene të Kushtetutës, ka konceptuar institucione, ndërkohë që është parë që ndikimi i ekzekutivit nuk ka qenë kaq pa gojë. Prandaj duhet parë nëse ky eksperiment ia ka vlejtur. Në njëfarë mënyre po, sepse hoqi juristë e magjstratë që janë majmur dhe nuk kanë dhënë drejtësi.



