Forcimi i lekut dhe rënia e euros në nivele rekord, shihet me shqetësim të madh për prodhimin vendas.
Kreu i Proeksport Albania, Edvin Prençe tha për “MCN Economy” se prodhuesi dhe eksportuesi shqiptar janë të pambrojtur.
Ky kurs ka një trend të forcimit të lekut, që shpresoj mos të ndodh, por besoj se deri në fund të 2026, euro do kapë kursin 92, 93 lekë. Prodhuesi shqiptar dhe eksportuesi shqiptar ka vite që e ndjen veten të pambrojtur, ndërkohë që Banka e Shqipërisë e quan normalitet këtë forcim të lekut.
E ndjen veten të pambrojtur eksportuesi, kur sheh që nuk ka politika ose strategji zhvillimi mbështetëse. Humbja e konkurrueshmërisë, sado të mundohet biznesi në vetvete të automatizojë dhe të nxjerrë një produkt të rëndësishëm, absolutisht kjo nuk ndodh se rritja e kostos në vetvete dhe kursi i këmbimit, por se vendi fokusohet në turizëm, në ndërtim, dhe pa përqendrim në një zhvillim të qëndrueshëm dhe në prodhim.
Forcimi i lekut ka dalë jashtë kontrollit të bankës dhe qeverisë. Ne po shkojmë në një shtet në rënie të lirë, në shtet shërbimi, që nuk të çon askund.
Nga ana e tij eksperti i ekonomisë, Pano Soko, deklaron se leku forcohet prej sasisë së madhe të euros që hyn në treg, duke shtuar se problemi i euros është afatgjatë.
Sipas tij, forcimi i lekut nuk ka ardhur si forcim i natyrshëm i ekonomisë shqiptare.
Nëse ti llogarit trendin e presionit, euro formale do të determinojë trendin e kursit. Ne presim një sezon turistik, presim hyrje eurosh, prej aktivitetit të ndërtimit në bregdet, por edhe në Tiranë, të gjithë këto janë elementë që na diktojnë një realitet që të gjithë e presim. Leku do vazhdojë të çmohet, euro do vazhdojë të dobësohet për shkak të sasisë së madhe që futet në treg.
Ai që dëmtohet më tepër është prodhimi shqiptar që konkurrohet nga produkti i huaj që sa vjen dhe i ulet çmimi, ndërsa produkti shqiptar shtrenjtohet. Tremujori i dytë i eksporteve mund të shkojë në një rënie rekord, duke pasur parasysh kursin e ri të euros.
Sasia e euros që hyn në treg është kaq e madhe, sa që dhe nxjerrja e sasive prej 2 miliardë euro nga Banka e Shqipërisë nga tregu, nuk e ndikojnë fare kursin e këmbimit. Problemin e euros e shoh afatgjatë. Unë nuk e imagjinoj dot momentin kur kursi i këmbimit do të kthehet në ekuilibrin natyror. Forcimi i lekut nuk ka ardhur si forcim i natyrshëm i ekonomisë shqiptare.



