Anëtarja e opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit Doris Madhi ngre dyshime se zjarri në inceneratorin e Elbasanit ka qenë i qëllimshëm, duke marrë parasysh edhe temperaturat e ulëta. Duke folur në një lidhje skype për edicionin e lajmeve në MCN TV Madhi kërkon që inceneratori të kalojë në status pasiv, ose landfillimi. Ajo e konsideron situatën me zjarrin në incenerator një “katastrofë mjedisore”, teksa shton se thirrjet për qeverinë dhe autoritetet lokale kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Kjo është dëshmi e qartë e inefiçencës, unë do thoja edhe vjedhjes, nga qeveria dhe autoritetet lokale në lidhje me administrimin e inceneratorit. Ky incenerator s’ka funksionuar më shumë se dy muaj gjatë 2023, dhe 1 muaj gjatë 2022-shit. Bashkia Elbasan vazhdon të lëvrojë fonde, diku te 3 miliardë lekë në vit. Çdo thirrje që i është bërë qeverisë lidhur me mosfunksionimin e inceneratorit, vazhdon të bjerë në vesh të shurdhët.
Është një katastrofë e vërtetë mjedisore. Zjarri u ndez në kushtet e temperaturave 7-8 gradë. Kjo më bën të besoj se zjarri s’është aksidental, por i qëllimshëm, pasi kapaciteti i landfillit është i pamjaftueshëm për të pritur gjithë ato plehra, jo vetëm nga Bashkia Elbasan, por edhe bashki të tjera. Zjarrfikësia s’e kishte kapacitetin e mjaftueshëm për ta fikur zjarrin. Janë kërkuar më shumë se një herë interpelanca dhe mbledhje. Kryetari e heq këtë përgjegjësi nga vetja, duke ia mveshur administratorit dhe stafit që menaxhon inceneratorin.
Kryetari i bashkisë s’ka dhënë asnjë sinjal që është në dijeni apo që intereson kjo situatë. Inspektoriati i Mjedisit, Ministria e Energjetikës dhe Financave duhet të merren me këtë problematikë. Por nuk shikoj asnjë lëvizje konkrete nga këto institucione. Sipas informacionit zyrtar thuhet se ka një defekt teknik që e bën inceneratorin jo funksional. Por edhe sikur të funksiononte, prapë s’do funksiononte me kapacitet të plotë, kjo tregon që është investim i keq. Duhet të kalojë jo vetëm në status pasiv, por në status landfillimi, sepse atë po bën, thjesht plehrat po depozitohet”.



