Covid-19 dhe një kthim në pandeminë e 1957-s

Covid-19 dhe një kthim në pandeminë e 1957-s

Clark Whelton

Ndërsa frika e koronavirusit ka mbërthyer botën, shikoj nga dritarja qytetin dhe nuk di të them nëse është apo jo në prag të katastrofës. Për mendimin tim, ky është rasti i “një vakti të konservuar”. Në të majtën time kam mish viçi të konservuar nga Nju-Xhersi dhe shishe me ujë nga Mejni. Jam gati për çfarëdo që të vijë.

Përveç se, nuk jam gati. Në fakt, edhe në moshën time, tani rreth të 80-ave, unë e shoh të gjithë panikun e COVID-19 si të çuditshëm dhe shqetësues. Gjatë jetës time kam parë të kalojnë disa epidemi, por ato nuk e prishën tregun e aksioneve, nuk shkatërruan një ekonomi të lulëzuar dhe nuk mbyllën udhëtimet ndërkombëtare. Ato nuk e ndaluan paradën e Ditës së Shën Patrikut ose turneun e basketbollit NCAA, dhe nuk e ulën siparin e shfaqjeve në Broduej. A do të kenë këto masa ekstreme ndonjë efekt real në përhapjen e COVID-19 në Nju-Jork, apo Amerikë? Do të presim për ta zbuluar.

Përvoja ime e parë me një pandemi globale ishte në tetor të 1957-s, kur kalova një javë në infermierinë e kolegjit me virusin H2N2, i njohur në atë kohë me emrin "gripi aziatik". Kisha temperaturë dhe nuk kisha qenë asnjëherë më sëmurë. Infermieria u mbush shpejt me raste të tjera, megjithëse disa studentë të sëmurë e përballuan në konvikt me aspirinë dhe lëng portokalli. Kolegji nuk u mbyll dhe qyteti nuk vendosi kufizime për grupime me shumë njerëz. Ditën që u largova nga infermieria, luajta në një ndeshje futbolli mes kolegjesh, e cila mblodhi një turmë të madhe spektatorësh.

Kjo nuk do të thotë se gripi aziatik - pandemia e dytë e gripit të shekullit XX - nuk ishte një sëmundje serioze. Në të gjithë botën, ky lloj gripi u mori jetën diku midis 1 dhe 2 milionë njerëzve. Më shumë se 100 000 vdiqën vetëm në SHBA. E megjithatë, me aq sa kam mundur të mësoj në atë kohë, guvernatorët e shteteve nuk e thirrën Gardën Kombëtare, dhe politikanët e asaj kohe nuk ia vunë të gjitha fajet presidentit Ajzenhauer. Eventet sportive në kolegj nuk u anuluan, aeroplanët dhe trenat vijuan të lëviznin dhe amerikanët nuk e panë asnjëherë njëri-tjetrin me frikë dhe dyshim, duke takuar bërrylat në që të shtrëngonin duart. Ne u përballëm me gripin aziatik, u lutëm dhe provuam fatin.

Sot, kur kthehem mbrapa në kujtime, pyes veten nëse ishte një Amerikë e pavëmendshme ajo e 1957-s, e cila u përball me sëmundjen me njëfarë marrëzie. Pse nuk ishim më aktivë në luftën kundër asaj sëmundjeje ngjitëse? A do ta kishin ulur numrin e të prekurve dhe atë të viktimave udhëzimet e rrepta për karantinë? Me pak fjalë, pse nuk u frikësuam më shumë?

Është e vështirë t'i përgjigjesh kësaj pyetjeje pa shpjeguar se si ishte të rriteshe në një epokë sëmundjesh infektive. Nëna ime më tregoi një herë një listë të sëmundjeve ngjitëse që ajo u kishte mbijetuar para moshës 20 vjeç. Në atë listë ishin sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë, së bashku me vuajtjet e tmerrshme të etheve të tifos, pneumonia, difteria (që i mori jetën vëllait të saj të madh) dhe gripi vdekjeprurës spanjoll në 1918-1919, i cili u mori jetën më shumë se 50 milionë njerëzve në të gjithë botën.

Për ata që u rritën në vitet 1930 dhe 1940, nuk ishte e pazakontë ta gjenin veten të kërcënuar nga sëmundja ngjitëse. Shytat, fruthi, lia, lia e pulave dhe fruthi gjerman përfshinë shkolla dhe qytete të tëra; unë i kalova të katra. Poliomieliti arriti një shifër të madhe brenda një viti, duke lënë mijëra njerëz (kryesisht fëmijë) të paralizuar ose të vdekur. Nuk kishte vaksina. Të rriteshe do të thoshte të kaloje në mënyrë të pashmangshme nëpër disa sëmundje infektive. Për studentët e kolegjit në 1957, gripi aziatik ishte një pengesë e njohur në rrugën drejt moshës madhore. Për të gjithë ata që ishin më të mëdhenj, gripi ishte një armik i njohur. Nuk i kishim mundësitë të punonim nga shtëpia. Duhej të dilje jashtë dhe të përballeshe me rrezikun.

Sot, falë vaksinave, gjithnjë e më pak njerëz e mbajnë mend se si ishte t’u mbijetoje në fëmijëri disa sëmundjeve njëra pas tjetrës. A po na frikëson më shumë sesa duhet nga Covid-19 kërcënimi i panjohur i sëmundjes serioze? A mos vallë kjo shoqëri që mbështetet më shumë te politika sesa te besimi, tani po e gjen veten në një pozicion të pakëndshëm, të paaftë për të kontrolluar një mikrob të rrezikshëm që sillet në mënyrën e gabuar?

Kur koronavirusi përfundimisht ta përfundojë kursin e tij, një nga detyrat më të rëndësishme për zyrtarët e kujdesit shëndetësor do të jetë konkludojnë nëse masat parandaluese që po ndërmarrim sot ishin efektive. A shpëtoi jetë zbritja në terren e Gardës Kombëtare, apo thjesht i ekspozoi ushtarët ndaj një infeksioni që, në fund të fundit, nuk mund të ndalohej? A paguam një çmim shumë të lartë për “futjen në rezervuar” të ekonomisë dhe përçarjen e shoqërisë sonë?

Apo vepruam siç duhej, duke u përgjigjur shpejt dhe me vendosmëri për të ngadalësuar virusin, duke mbyllur shtigjet e mundshme të infeksionit? Duke krahasuar të dhënat e vitit 2020 me informacionin nga viti 1957, do të jemi në gjendje të zbulojmë nëse njerëzit që jetuan në atë vit të largët - dhe i mbaj mend mirë - mund të kishin bërë më shumë për të zvogëluar numrin e vdekjeve nga gripi aziatik. Sa më shumë përgjigje të marrim, dhe sa më shpejt t'i marrim ato, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Kur perdja të ngrihet përsëri në Broduej, diku në një kontinent të largët që do t’ia marrim vesh emrin më vonë, të jemi të sigurt se viruse të reja do të jenë duke pritur për t’u shfaqur.

Clark Whelton është shkrimtar dhe jeton në Nju-Jork. Ai ka shkruar fjalimet e kryetarëve të bashkisë së Nju-Jorkut, Edward Koch dhe Rudolph Giuliani.

/ Përktheu: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy