Kufizimi i lëvizjeve i vendosur nga qeveria pritet së shpejti të japë ndikim edhe në zinxhirin e furnizimit të tregjeve. Ilir Pilku, ekspert i agrobiznesit, thotë se në depot e grumbullimit ka nisur të ndihet mungesa e produkteve, çka pritet të vështirësojë plotësimin e nevojave për konsum.
Unë kam qenë dje dhe para dy ditësh në pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore. Tregu ushqimor, deri tani ka pasur rezerva në magazina, por situata do të ketë vështirësi në ditët në vazhdim. Problemi i parë është aksesi në eksporte, që ka vështirësitë e veta. Nëse për një ngarkesë, për të shkuar në destinacion, eksporti nuk i kalonte 24 orët, tani është minimalja 3-4 ditë. E dyta është mbyllja e bareve dhe restoranteve, pra konsumi që vjen nga shërbimet.
Hallka e parë e zinxhirit që mund të kalojë në krizë është prodhimi i bukës.
Fermerët shqiptarë nuk kanë produkt stok. Ne nuk prodhojmë grurë dhe misër. Këto dy produkte në 90% janë produkte importi. Nuk është prodhim që qëndron në magazinë dhe ti e nxjerr në momente të caktuara. Produktet që prodhojnë fermerët shqiptarë janë produkte të konsumit të shpejtë, pra perime.
Edhe pse kriza me ushqimet dhe produktet e bukës do të ndihet më vonë, kryeministri Rama nga shtëpia e tij në Surrel thotë se qeveria ka marrë masat për t’i ardhur në ndihmë çdo familje në nevojë.
Tashmë thotë kreu i qeverisë askush nuk do të tolerohet, edhe pse të hënën në orën 5 të mëngjesit do të rihapet qarkullimi, për ata që shkojnë në punë deri në orën 13 të drekës. Këto orare shprehet kryeministri, janë të imponuara nga nevoja për përballimin e një lufte të madhe.



