
Shërbimet speciale polake kanë gjetur dhe çmontuar pajisje përgjuese në një ambient ku do të mblidhej këshilli i ministrave të martën, tha zëdhënësi i koordinatorit të shërbimeve speciale.
Polonia, një qendër për furnizimet ushtarake perëndimore në Ukrainë ndërsa Kievi lufton pushtimin rus, është në gatishmëri të shtuar për çdo shenjë të aktivitetit spiunazhi.
“Shërbimi i Mbrojtjes Shtetërore, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë së Brendshme, zbuloi dhe çmontoi pajisje që mund të përdoreshin për përgjim në dhomën ku do të mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave sot në Katovicë”, shkroi Jacek Dobrzynski në rrjetin social X.
“Shërbimet po kryejnë aktivitete të mëtejshme në këtë çështje”, shtoi Dobrzynski.
Të hënën, qeveria tha se po verifikonte nëse një gjykatës polak i cili kishte akses në informacione konfidenciale dhe kërkoi azil politik në Bjellorusi kishte spiunuar.



