
Prej një viti, 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, të sekuestruara në zonën e Porto Romanos në Durrës, vazhdojnë të qëndrojnë të paprekura, ndërkohë që ende nuk është kryer një analizë zyrtare për përmbajtjen e tyre.
Korrespondentja e “MCN Live” nga Durrësi, Ervinina Garo, raportoi se sipas banorëve dhe burimeve pranë autoriteteve, mbetjet nuk janë asgjësuar për shkak të mungesës së një laboratori të certifikuar, që do të mund të analizonte përbërjen e tyre dhe të përcaktonte nivelin e rrezikshmërisë.
Ka kaluar gati një vit dhe ende nuk është përcaktuar nëse këto mbetje janë realisht të rrezikshme, pasi ende nuk është marrë një vendim për analizimin e tyre nga një laborator i autorizuar.
Në muajin mars u përmend gjetja e një laboratori të mundshëm për kryerjen e analizave, por nuk u arrit dakordësia mes palëve, çka ka bërë që situata të mbetet e pandryshuar deri më sot.
Banorët e zonës së Porto Romanos, konfirmojnë për “MCN” se nuk kanë parë asnjë lëvizje konkrete për largimin apo asgjësimin e këtyre mbetjeve.
Është folur për sekuestrim dhe analiza, por asgjë nuk është bërë. Kontenierët vazhdojnë të qëndrojnë aty, shumë pranë zonës së banuar.
Ndërkohë, subjekti që ka lidhje me mbetjet ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat e rendit, të cilat janë të pranishme në zonë edhe në momentin e raportimit.
Megjithatë, organi i akuzës nuk ka ndërmarrë ende hapa konkretë për të zbardhur plotësisht këtë çështje mjedisore që ka shqetësuar komunitetin lokal dhe ka ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e mbetjeve industriale në vend.



