
Turqia ka nisur një operacion ushtarak në verilindje të Sirisë. Zyrtarët ushtarakë turq e konsiderojnë këtë një ofensivë që synon eliminimin e një "korridori të terrorit" përgjatë kufirit jugor turk.
Shpërthime janë raportuar në qytetin Ras al Ain në verilindje të Sirisë, në kufi me Turqinë, nga ku banorët po largohen masivisht.
Forcat Demokratike Siriane (SDF) kanë bërë thirrje për një zonë pa fluturime me qëllim shmangien e hubjes së jetëve të pafajshme, duke shtuar se avionët turq kanë bombarduar pozicionet ushtarake dhe banorët civilë, duke shkaktuar viktima.
Komisioni i Bashkimit Europian e ka dënuar aksionin, një deklaratë të cilës i janë bashkëngjitur edhe një numër vendesh të tjera. Ofensiva vjen pasi Donald Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga zona, një veprim i kritikuar gjerësisht që ka lejuar forcat kurde - të cilët kanë kontribuuar në mundjen e të ashtuquajturit Shtetit Islamik (ISIS) - të braktisen nga aleati i tyre, SHBA.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se Turqia duhet t’i japë fund kësaj ofensive, duke paralajmëruar se Europa nuk do të japë fonde për atë që Turqia e konsideron zonë e sigurisë.
"Turqia duhet të ndërpresë operacionin ushtarak. Ai nuk do të funksionojë. Dhe nëse plani i Turqisë është të krijojë një zonë të sigurisë, mos prisni fonde nga Bashkimi Evropian", tha ai para Parlamentit Evropian në Bruksel. Po ashtu, Franca, Britania dhe Gjermania kanë bërë thirrje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mblidhet për të diskutuar mbi ofensivën turke.
Synimi i Turqisë në Siri
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se ofensiva e quajtur "Operacioni Pranvera e Paqes", synon të eliminojë kërcënimet nga milicia siriane kurde dhe militantët e Shtetit Islamik dhe të mundësojë kthimin e refugjatëve sirianë në Turqi pas krijimit të një zone të sigurt.
"Misioni ynë është të parandalojmë krijimin e një korridori të terrorit përtej kufirit tonë jugor, dhe të sjellim paqen në zone. Ne do të ruajmë integritetin territorial të Sirisë dhe do të çlirojmë bashkësitë lokale nga terroristët", shkroi Erdogan në Tuiter.
Forcat Demokratike Siriane drejtohen nga një grup militantësh kurdë që Turqia e konsideron organizatë terroriste, për shkak të lidhjeve të tyre me militantët brenda Turqisë.



