Përafërsisht 10,749 civilë janë vrarë dhe 15,599 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia pushtoi vendin në shkurt të vitit të kaluar, sipas autoriteteve ukrainase. Numri i të vdekurve përfshin 499 fëmijë, tha Yuriy Belousov, kreu i Departamentit të Krimeve të Luftës të Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, në një intervistë me agjencinë e lajmeve Interfax-Ukraine. Pasi të çlirohen territoret e okupuara të Ukrainës, numri i të vrarëve pritet të "rritet shumë herë", tha ai. "Unë mendoj se do të ketë dhjetëra mijëra të vdekur vetëm në Mariupol," tha Belousov. Shifrat e Prokurorisë së Përgjithshme janë të ngjashme me ato të organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, shtoi ai. Më 7 korrik, OKB-ja raportoi se kishte konfirmuar vdekjen e “më shumë se 9,000 civilëve, duke përfshirë mbi 500 fëmijë”, por numri real pritet të jetë më i lartë. Belousov tha gjithashtu se ekipi i tij kishte regjistruar 98,000 krime lufte të kryera nga forcat ruse në Ukrainë gjatë pushtimit.



