
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, është kundër idesë së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.
Pas rreth 3 javësh debate, kreu i shtetit shqiptar është pozicionuar kundër kësaj ideje.
Në një intervistë për Albanian Daily News, presidenti Meta është shprehur se ndryshimi i kufijve do të cenonte stabilitetin e rajonit dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Ai thotë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen me këto kufij që janë përcaktuar.
"Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot. Rëndësi e veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, realitet i njohur dhe i pranuar nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB. Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit. Çdo debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi. Shqipëria ka qenë e mbetet mbështetëse e fortë e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE e mbështetur nga SHBA", thotë Meta.
Edhe ndërkombëtarët si SHBA ashtu edhe BE kanë mbajtur një qëndrim paksa të tërhequr. Ata janë shprehur se do pranonin shkëmbimin e territoreve por me kusht që të mos cenohej stabiliteti i rajonit. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Johannes Hahn pak ditë më parë në Samitin e Durrësit dhe që u mbështet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ndërkohë që deri tani dy janë shtetet që janë pozicionuar kundër jane Gjermania dhe Britania e Madhe, pasi sipas tyre do të rrezikonte stabilitetin. Por Presidenti i Serbisë Vucic pak ditë më parë nga Austria kërkoi që askush të mos ndërhynte në problemet e tyre me shqiptarët, pasi do i zgjidhin vetë.



