Një kryefamiljar në Maliq ka plagosur gruan dhe djalin, ndërsa më tej është mbyllur në banesë duke hapur zjarr ndaj policisë, pasi refuzon të dorëzohet.
Por rezistenca e tij ka marrë fund pak para orës 09.00, pasi është ekzekutuar nga forcat RENEA.
Policia njoftoi se forcat Speciale RENEA në bashkëpunim me Policinë lokale të Komisariatit të Policisë Maliq dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, prej më shumë se 8-orësh mbajtën të rrethuar në fshatin Qesarakë, Maliq, banesën e shtetasit Ramiz Muçollari, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij.
Shtetasi Ramiz Muçollari, pas plagosjes së dyfishtë u mbyll në banesë dhe nuk i’u përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t'u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre.
Ndodhur në këto kushte janë dërguar me urgjencë në vendngjarje, Forcat Speciale RENEA, të cilat kanë marrë nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale është pozicionuar në perimetrin e largët të sigurisë.
Përgjatë natës, Forcat Speciale RENEA, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.
Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale RENEA, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale RENEA, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Forcat Speciale RENEA, në zbatim të plotë të procedurave standarde janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën. Theksojmë faktin se shtetasi Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikiatrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.
Ndërsa në njoftimin paraprak policia tha se janë njoftuar se në fshatin Qesarakë, Maliq, shtetasi Ramiz Muçollari, 62 vjeç, kishte dëmtuar me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij Pëllumbesha Muçollari, 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij Kamber Muçollari, 27 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.
Reagimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla.
Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.
Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore.
Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën.



