
Përplasja e axhendës mes kreut të qeverisë dhe opozitës në Elbasan, çoi në një konfrontim fizik të simpatizantëve të dy partive politike. Lidhur me incidentin e shënuar paraditen e sotme, kur mbështetësit e PS-së dhe PD-së u përplasën në qendër të qytetit, Policia e Elbasanit njofton se ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë rreth zonës ku nisi konflikti.
Sipas raportimeve, deri tani policia ka shoqëruar tre persona për përplasjet verbale dhe fizike, ndërsa po identifikohen pjesëmarrësit e tjerë. Për të shoqëruarit nuk jepen më tepër detaje.
I gjithë incidenti ndodhi pasi pas liderit të opozitës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga mbështetësit të tij, në Elbasan për të uruar Ditën e Verës mbërriti kreu i qeverisë, Edi Rama.
Thirrjet “Rama ik” shoqëruan vizitën e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më pas pati përplasje verbale e fizike mes mbështetësve të të dy palëve. Për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e policisë.



