Prokuroria për Krime të Rënda përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim grupoin e drejtuar nga Admir Tafili. Në grupin e stukturuar kriminal bëjnë pjesë 13 persona të cilët akuzohen për “krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “vrasje me paramendim”, për “vrasje”, “vetëgjyqësi”, “sigurim kushtesh për kryerjen e veprës penale”, “armëmbajtje pa leje”.
Nga hetimet ka rezultuar se ky grup udhëhiqej nga shtetasi Admir Tafilaj, i cili drejtonte anëtarët e tjerë nga burgu, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për krime të tjera.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se grupi i personave merrte porosi dhe ka realizuar vrasje, disa të mbetura në tentativë, në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave.
Në bazë të hetimeve, ka rezultruar se të pandehurit Admir Tafilaj, Kristi Pine, Elson Merdani dhe Dritan Peksani, në bashkëpunim, kanë kryer veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Ibrahim Mani, ngjarje e ndodhur në 25.06.2014, në Shkodër.
Po ashtu, të pandehurit Alfred Tafilaj, Kristi Pine, Ardian Ozuni, Alfred Qefalia dhe Klajdi Shermadhi në bashkëpunim midis tyre kanë kryer veprën penale të “Vrasjes me paramendim mbetur në tentativë” të shtetasit Edmond Cakmashi, ngjarje e ndodhur në dt. 05.11.2013.
Të pandehurit Admir Tafilaj, Kristi Pine, Aleksandër Gora, Elson Merdani kanë konsumuar veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasit Leonard Murati. Këta persona kanë planifikuar vrasjen e shtetasit Murati, por nuk kanë mundur ta kryejnë, pasi është vrarë më parë nga persona të tjerë, për të cilët po vijojnë ende hetimet.



