
Blendi Fevziu i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka deklaruar se Sali Berisha duhet të tërhiqet nga gara në PD dhe të mbajë aty një rol honorifik, në mënyrë që t'i hapë rrugën të rinjve në PD.
Fevziu tha se PD ka nevojë urgjente për hapjen ndaj të rinjve dhe grave, sepse kjo parti është defiçente në këto kategori.
Ai tha se Berisha nuk mund të ndalohet të kandidojë, por duhet të "dakordësohet vetë, që kundrejt luajtjes së një roli, të hapë garën për një lider të ri.
Unë mendoj se Berisha, duke luajtur një rol honorifik në PD, duhet të hapte një garë duke e tërhequr veten nga kandidimi. Edhe pse është politikan i rëndësishëm, ai e mbylli karrierën e tij me dëshirën e vet në 2013. Bëri një gabim duke anuar garën në drejtim të Bashës. Për arsye dhe të moshës, i bie të garojë në moshën 81 vjecarë. Jo se nuk ndodh. PD me Berishën ka zgjidhje afatshkurtër. Me një kandidat të ri, mund të shihte hapjen e një rruge më të gjerë.
Një figurë e re. PD ka nevojë për një person 35-40 vjeç. PD ka qenë e drejtuar nga ata njerëz që në 1990 kanë qënë student. Sot janë 52-53 vjeçarë. Ka patur pedagogë që janë sot në moshën e Berishës. Por Berisha ka dështuar me të rinjtë, ka deficit të madh. Edhe në përfaqësimin e grave ka deficit të madh. PD nuk ka prodhuar figura të mëdha të rëndësishme. Mbeten ata të viteve 90.



