Zaida Çobo, nëna e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia disa ditë më parë, ka tërhequr padinë ndaj Ardi Veliut, pas një takimi me këtë të fundit. Çobo kishte dorëzuar në gjykatë ndaj kreut të Policisë së Shtetit një padi për cenim nderi e dinjiteti të shkaktuar nga publikimi i të dhënave personale.
Padia erdhi pasi Veliu publikoi një video ku Çobo shfaqej me armë në dorë, që më pas rezultoi se ishte një moment nga filmi ku ajo ishte aktore.
Çobo kishte kërkuar shpërblim dëmi pasuror në masën 1 milion lekë, por pas takimit me Veliun u tërhoq.
Megjithatë, kallëzimi ndaj efektivëve të policisë për dhunimin e djalit mbetet.
Në një raportim pak ditë më parë në Komisionin e Sigurisë, Veliu e mbrojti policinë që dhunoi djalin 15-vjeçar, ndërsa dje i kërkoi ndjesë nënës së tij.
"Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t'ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj. Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes)”, shkruan Ardi Veliu.



