Henry Kissinger: Nuk ka shembull të mirë historik për luftën në Ukrainë

Henry Kissinger: Nuk ka shembull të mirë historik për luftën në Ukrainë

Gjatë 99 viteve të jetës së tij, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka parë në karrierë disa prej liderëve sovjetikë. Për presidentin aktual rus, Vladimir Putin, ai thotë se është përllogaritës dhe i zemëruar. Në një intervistë me “Der Spiegel”, Kissinger thotë se marrëdhënia e ardhshme e Rusisë me Evropën do të bëhet çështje kyçe gjeostrategjike.

Zoti Kissinger, Lenini ishte ende gjallë kur lindët ju. Ishit 29 vjeç kur vdiq Stalini, 39 kur  Nikita Hrushovi vendosi raketa bërthamore në Kubë dhe 45 kur Leonid Brezhnev shtypi Pranverën e Pragës. Cilin nga këta sundimtarë të Kremlinit ju kujton më shumë Vladimir Putin?

Hrushovin.

Pse?

Hrushovi donte njohje. Ai donte të pohonte rëndësinë e vendit të tij dhe të ftohej në Amerikë. Koncepti i barazisë ishte shumë i rëndësishëm për të. Në rastin e Putinit, kjo është edhe më e mprehtë, sepse ai e konsideron kolapsin e pozicionit rus në Evropë nga viti 1989 e tutje si një fatkeqësi strategjike për Rusinë. Kjo ka qenë obsesioni i tij. Unë nuk ndaj pikëpamjen e shumë njerëzve që mendojnë se ai dëshiron të rifitojë çdo pjesë të territorit që ka humbur. Por ajo që ai nuk mund të durojë është se i gjithë territori midis Berlinit dhe kufirit rus i ra NATO-s. Dhe kjo është ajo që e bëri Ukrainën një pikë kaq kyçe për të.

Hrushovi shkaktoi krizën e raketave kubane, por ai në fund u dorëzua. A mendoni se e njëjta gjë është e mundur për Putinin dhe Ukrainën?

Putini nuk është aq impulsiv sa ishte Hrushovi. Ai është më përllogaritës dhe më i inatosur. Mund të jetë më e lehtë të gjesh gjuhën me disa liderë të tjerë që dikush i njeh (nga e kaluara e Rusisë). Nga ana tjetër, nuk ka gjasa që kalimi nga Putin te pasardhësi i tij të shkojë shumë mirë. Por mbi të gjitha, evolucioni i Rusisë është një çështje ruse. Vendet perëndimore do të duhet të analizojnë se çfarë mund të bëjnë në varësi të atij evolucioni dhe rezultatit ushtarak në Ukrainë.

Kapitulli i parë i librit tuaj të ri, "Udhëheqja: Gjashtë Studime në Strategjinë Botërore", fokusohet në kancelarin e parë të pasluftës së Gjermanisë, Konrad Adenauer. Ju shkruani se politika e Adenauer bazohej në një pikëpamje se ndarja e vendit të tij ishte e përkohshme. A është kjo çfarë kishit në mendje me deklaratën tuaj të fundit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kur sugjeruat që Ukraina të pranonte një ndarje të përkohshme të vendit, duke e zhvilluar një pjesë në një komb properëndimor, demokratik dhe ekonomikisht të fortë, duke pritur që historia të ribashkojë vendin në tërësi?

Ajo që kam thënë është kjo: Për t'i dhënë fund kësaj lufte, vija më e mirë ndarëse do të ishte status quo ante, që do të thotë 93 për qind e vendit. Kjo është një gjë krejt tjetër. Nëse dikush identifikon status quo ante si objektiv, kjo do të thotë se agresioni nuk ka pasur sukses. Çështja, pra, është një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit të 24 shkurtit. Territori ende i kontrolluar nga Rusia, i cili përbën rreth 2.5 për qind të territorit ukrainas në Donbas, si dhe në Gadishullin e Krimesë, do të ishte më pas pjesë e një negocimi të përgjithshëm.

Ju shtoni megjithatë, se vazhdimi i konfliktit përtej linjës së kontaktit të 24 shkurtit "do ta kthente atë në një luftë jo për lirinë e Ukrainës ... por një luftë të re kundër vetë Rusisë".

Në asnjë moment nuk kam thënë që Ukraina duhet të heqë dorë nga ndonjë territor. Thashë se vija logjike ndarëse për një armëpushim është status quo ante.

Shumë ukrainas e kuptuan ndryshe. Parlamentari Oleksiy Goncharenko tha se ju "po jetoni ende në shekullin e 20-të" dhe se Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë pëllëmbë territor.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy nuk e thotë këtë. Përkundrazi, brenda dy javësh nga deklarata ime, ai tha në një intervistë për “Financial Times” se rifitimi i status quo-së do të ishte një fitore e madhe dhe se ata do të vazhdojnë të luftojnë diplomatikisht për pjesën tjetër të territorit të tyre. Kjo është në përputhje me pozicionin tim.

Në hyrje të librit tuaj të ri, ju citoni Uinston Churchill: "Studioni historinë. Në histori qëndrojnë të gjitha sekretet e krijimit të shtetit". Cili precedent historik mendoni se është më udhëzuesi për të kuptuar dhe për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë?

Kjo është një pyetje shumë e mirë për të cilën, nuk mund të jap një përgjigje të drejtpërdrejtë. Sepse lufta në Ukrainë është në një nivel një luftë për ekuilibrin e fuqisë. Por në një nivel tjetër, ajo ka aspekte të një lufte civile dhe kombinon një problem ndërkombëtar të tipit klasik evropian me një problem tërësisht global. Kur kjo luftë të përfundojë, çështja do të jetë nëse Rusia do të arrijë një marrëdhënie koherente me Evropën – të cilën e ka kërkuar gjithmonë – apo nëse do të bëhet një postë e Azisë në kufirin e Evropës. Dhe nuk ka asnjë shembull të mirë historik.

Ju, së bashku me gjashtë personalitetet që portretizoni në librin tuaj të ri, keni formësuar botën në të cilën jetojmë sot. Dhe kjo nuk është një botë e qëndrueshme. Në Evropë, ka një luftë në Ukrainë. Në Azi, një konflikt mbi Tajvanin duket se po afrohet. Në Lindjen e Mesme, programi bërthamor i Iranit vazhdon të hedhë hije të errëta. Pse politikanët duhet të ndjekin shembujt nga libri juaj?

Nuk po them se ata duhet të ndjekin shembujt e njerëzve që kam portretizuar, sepse ata janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri – dhe situatat e tyre janë të ndryshme nga njëri-tjetri. Por unë mendoj se ata mund të mësojnë nga problemet me të cilat u përballën këta udhëheqës. Që ka konflikt në botë: Kjo nuk është e re. E reja është se në periudhën tonë kemi për herë të parë ndikimin e rajoneve të ndryshme kulturore mbi njëra-tjetrën në mënyrë të përhershme. Për disa konflikte aktuale, shembujt nga libri mund të jenë të dobishëm. Të tjerat mund të jenë unike për periudhën tonë. Unë nuk kam shkruar një libër gatimi për marrëdhëniet ndërkombëtare.

A mendoni se politika e jashtme në kushtet që përshkruani, dhe veçanërisht siç e praktikuat ju dhe Richard Nixon, është ende mënyra më efektive për trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare – që do të thotë se shtetarët janë më të preferuar se vizionarët dhe ruajtja e stabilitetit është më e preferueshme në raport me imperativat normative?

Burrat e shtetit dhe vizionarët janë thjesht dy lloje të ndryshme liderësh.

Preferenca juaj është e dukshme. Në librin tuaj, ju përmendni Theodore dhe Franklin D. Roosevelt, Kemal Atatürk dhe Jaëaharlal Nehru si "burra shteti", ndërsa identifikoni Akhenaten, Joan of Arc, Robespierre dhe Leninin si "vizionarë". A mendoni se ruajtja e ekuilibrit të fuqisë është ende rruga më e këshillueshme për të ndjekur në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Mendoj se balanca e fuqisë është parakusht për gjëra të tjera, por nuk është qëllim në vetvete. Bilanci i fuqisë në vetvete nuk garanton stabilitet, por pa ekuilibër të fuqive nuk mund të kesh stabilitet.

Në raftin e librave pas jush është një biografi e Princit Metternich, i cili ishte subjekt i doktoraturës suaj  dhe që konsiderohet arkitekti i rendit evropian të paqes të fillimit të shekullit XIX. A janë periudhat prej disa dekadash stabiliteti relativ, si atëherë apo si pas Luftës së Dytë Botërore, më e mira për të cilën mund të shpresojmë realisht?

Jo, mendoj se situata bashkëkohore është unike në këtë aspekt. Duke parë historinë, unë tashmë do ta përshkruaj Luftën e Parë Botërore si një shembull të teknologjisë që ka tejkaluar kapacitetin për ta menaxhuar atë. Por në periudhën tonë nuk ka dyshim për këtë. Ne kemi pasur armë bërthamore prej 80 vjetësh dhe triliona janë shpenzuar për përpunimin e tyre. Që nga viti 1945, askush nuk ka guxuar t'i përdorë ato, madje edhe kundër vendeve jo-bërthamore. Sot, këto armë bërthamore kombinohen me mundësitë kibernetike, me inteligjencën artificiale.

Ju do të thoni se janë bërë edhe më të rrezikshëm sepse algoritmet dhe procedurat teknike që i kontrollojnë ato janë të paparashikueshme në një rast krize?

Në çdo rast, është bërë jashtëzakonisht e vështirë për liderët politikë që të kontrollojnë teknologjinë e tyre, veçanërisht në rast lufte. Është një detyrim i jashtëzakonshëm tani për të parandaluar një luftë në të cilën mund të përdoret një teknologji kaq e lartë. Dhe veçanërisht, një luftë midis dy vendeve më të mëdha të teknologjisë së lartë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Nuk ka pasur kurrë një situatë të krahasueshme, sepse gjithmonë mund të imagjinohet fituesi që nxjerr ndonjë përfitim. Në këtë lloj lufte, kjo është e pamundur.

Presidenti Joe Biden e ka përshkruar situatën aktuale gjeopolitike si një luftë midis demokracisë dhe autokracisë. Edhe qeveria e re gjermane ka nisur të ndjekë një politikë të jashtme më të “bazuar në vlera”, cila është përgjigjja juaj për këtë?

Duke pasur parasysh historinë time personale, një preferencë për demokracinë është e vetëkuptueshme. Demokracia e vërtetë është, për mua, sistemi më i dëshirueshëm. Por në marrëdhëniet e botës bashkëkohore, nëse bëhet objektivi kryesor, ai çon në një impuls misionar që mund të rezultojë në një konflikt ushtarak të tipit Luftë Tridhjetëvjeçare. Tani, presidenti Biden ka thënë njëkohësisht se nuk ka dëshirë të ndryshojë qeverinë kineze, se nuk po tenton të ndërhyjë në situatën e brendshme. Kështu që unë mendoj se ai përballet me të njëjtin problem me të cilin përballet çdo udhëheqës i madh tani. Sigurisht, ka situata në të cilat ekziston një detyrim për të mbrojtur veten, dhe kjo është ajo që Evropa e ka perceptuar në këtë konflikt për Ukrainën. Udhëheqja nga një burrë shteti në këtë periudhë duhet të jetë në gjendje të përfshijë rolin historik të ekuilibrit të fuqisë, rolin e ri të teknologjisë së lartë dhe ruajtjen e vlerave thelbësore. Kjo është një sfidë e re për këtë periudhë.

Si e vlerësoni deklaratën e Biden se Presidenti Putin "nuk mund të qëndrojë në pushtet"?

Nuk ishte e matur.

Një nga supozimet bazë të realizmit politik është se sistemi ndërkombëtar është përfundimisht anarkik dhe se nuk ka autoritet mbi atë të shteteve individuale. A e konfirmon përvoja juaj këtë supozim?

Jo. Parimi i sovranitetit mbi të cilin bazoheshin marrëdhëniet ndërkombëtare në Evropë, dhe nëpërmjet Evropës, në pjesën tjetër të botës, lejon evoluimin e konceptit të ligjshmërisë në të drejtën ndërkombëtare, nga njëra anë. Por nga ana tjetër, ajo gjithashtu copëton botën, sepse parimet sovrane besohet se janë parësore. Kjo dilemë është shumë e vështirë për t'u kapërcyer filozofikisht, sepse dallimet kulturore midis rajoneve të ndryshme të botës përfshijnë hierarki të ndryshme vlerash.

Kur shikoni se si ka ecur deri tani lufta në Ukrainë, mendoni se kjo rrit apo pakëson dëshirën e udhëheqjes kineze për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e Tajvanit?

Nuk mendoj e mendoj aspak. Putini dukshëm e nënvlerësoi rezistencën që do të gjente. Kinezët, megjithatë, do të përdorin forcën e gjithanshme kundër Tajvanit vetëm pasi të kenë vendosur se asnjë evolucion paqësor nuk do të jetë kurrë i mundur. Dhe nuk mendoj se kanë arritur ende në atë pikë.

Por nëse Kina do të arrinte një ditë në një përfundim të tillë, si do të ndryshonte ai konflikt nga ai aktual në Ukrainë?

Për çështjen e Ukrainës, një aspekt i problemit ushtarak është se dy grupe bërthamore po bëjnë një luftë konvencionale në territorin e një shteti të tretë, i cili, natyrisht, ka shumë armë që ia kemi dhënë ne. Por ligjërisht, një sulm ndaj Tajvanit do t’i fuste Kinën dhe Amerikën në konflikt të drejtpërdrejtë që në fillim.

Kanë kaluar 50 vjet që kur, bashkë me presidentin e SHBA Richard Nixon, nisët udhëtimin tuaj historik në Kinë. Nga këndvështrimi i sotëm, a ishte një arritje apo një gabim shtyrja e zgjidhjes së konfliktit të Tajvanit në atë kohë?

Ishte e vetmja mënyrë e mundshme për të filluar punën me Kinën, dhe kjo ishte e domosdoshme për t'i dhënë fund Luftës së Ftohtë dhe thelbësore për t'i dhënë fund Luftës së Vietnamit. Dhe krijoi të paktën 25 vjet evolucion paqësor pas Luftës së Koresë. Ngritja e Kinës në mënyrë të pashmangshme do të sillte me vete çështjet që kemi diskutuar – kjo ka qenë natyra e historisë kineze. Dhe në lidhje me Tajvanin, mendoj se ishte një arritje e madhe që Mao të binte dakord me diçka për të cilën Kina nuk kishte pranuar kurrë në periudhën e pasluftës – pra shtyrjen e zgjidhjes.

Jo vetëm çështja e Tajvanit mbetet e pazgjidhur, por edhe ajo e programit bërthamor të Iranit. Ju ishit fillimisht kundër marrëveshjes bërthamore me Teheranin, por edhe kundër tërheqjes së SHBA-së nga traktati.

Thelbi i shqetësimit tim për marrëveshjen ishte se ajo nuk e përjashtonte nuklearizimin ushtarak të Iranit. Ai siguroi një mënyrë për ta arritur atë pak më ngadalë - nga pikëpamja iraniane. Prandaj, rreziku i luftës parandaluese në Lindjen e Mesme vazhdoi dhe madje u rrit, me përfitimin e njëfarë zgjatjeje kohore. Pra, tani, të ktheheni në të njëjtën marrëveshje që dikush e refuzoi, pa asnjë përmirësim, është një lloj disfate morale. Do të mbetet një çështje shqetësuese, sepse ajo që thashë për teknologjinë e lartë vlen edhe atje: Si t'i shmangni rreziqet e parandalimit që del jashtë kontrollit?

A keni frikë nga një garë armësh bërthamore në Lindjen e Mesme?

Jo, kam frikë nga përdorimi i armëve bërthamore. Sapo Irani të vendoset si një fuqi bërthamore, vende si Egjipti dhe Turqia mund të ndjehen të detyruara ta ndjekin. Dhe më pas, marrëdhëniet e tyre, plus marrëdhënia e të gjithëve me Izraelin, do ta bëjnë rajonin edhe më të pasigurt se sa është sot.

Meqenëse po flisnim vetëm për Lindjen e Mesme, le të kthehemi te pushtimi i SHBA-së në Irak. Ishte një llogaritje e gabuar?

Unë kisha 20 vjet që kisha dalë nga administrata kur ndodhi pushtimi. Nuk isha kundër. Ndjeva se qëllimi i Presidentit Xhorxh Ë. Bush ishte të tregonte se regjimet që mbështesnin sulmet terroriste po krijonin pasiguri të përhershme. Largimi i Sadam Huseinit kishte shumë arsyetime racionale dhe morale. Por, përpjekja për të qeverisur Irakun në mënyrë të ngjashme me pushtimin e Gjermanisë (pas Luftës së Dytë Botërore) ishte një gabim analitik, sepse situatat nuk ishin të krahasueshme. Përpjekja për të pushtuar vendin shkoi përtej kapaciteteve tona.

Para luftës në Ukrainë, kishte një debat nëse SHBA-ja duhet të afrohej me Rusinë për t'i bërë presion rivalit të saj, Kinës. Tani, pyetja është nëse Uashingtoni duhet të ulë tensionet me Pekinin përballë kërcënimit rus – siç bëtë je dhe Nixon 50 vjet më parë. A mendoni se Amerika është mjaftueshëm e fortë për të përballuar dy kundërshtarët e saj më të mëdhenj në të njëjtën kohë?

Nëse përballja me dy kundërshtarë do të thotë zgjerimi i luftës në Ukrainë në një luftë kundër Rusisë, ndërsa në të njëjtën kohë mbetet në një pozicion jashtëzakonisht armiqësor ndaj Kinës, mendoj se kjo do të ishte një kurs shumë i gabuar. Unë mbështes përpjekjet e NATO-s dhe të Amerikës për të mposhtur agresionin kundër Ukrainës dhe konkretisht për të rikthyer Ukrainën në dimensionet që kishte kur filloi lufta. Dhe unë mund të kuptoj nëse Ukraina vazhdon të kërkojë rregullime shtesë. Kjo më pas mund të trajtohet brenda kornizës së një këndvështrimi më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por edhe nëse kjo arrihet, duhet të trajtohet marrëdhënia e Rusisë me Evropën, përkatësisht pyetja nëse ajo është pjesë e historisë evropiane, apo një kundërshtar i përhershëm i bazuar në territore të tjera. Kjo do të bëhet një çështje kryesore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy