
Veçanërisht gjatë muajve të verës, Qyteti i Firences, i njohur për vlerat artistike, mësyhet nga turistët. Dhe nuk ndodh rrallë që disa prej tyre të ndihen keq e të përfundojnë në qendrat mjekësore të qytetit.
Vetëm se qytetarët e Bashkimit Evropianë gëzojnë të drejtën e asistimit si të ishin në vendin e tyre, favor që nuk e gëzojnë vizitorët nga jashtë BE-së, të cilët janë të detyruar të paguajnë asistencën mjekësore sipas tarifave rajonale.
Por autoritetet e Firences ankohen se afërisht gjysma e tyre nuk paguajnë, madje me të dalë nga qendrat e urgjencës është e pamundur për të rikuperuar pagesat.
Ajo që kërkojnë autoritetet e Provincës së Toskanës është vendosja e një mekanizmi të detyrueshëm pagese për shërbimet mjekësore të këtij lloji. Një prej alternativave është bllokimi përmes një karte krediti të turistit të një tarifë sigurimi për këtë qëllim.
Udhëzimi mbi të cilin po punon Provinca e Toskanës, por që shpejt mund të kopjohet edhe nga të tjerat, mendohet se do jetë gati para fundit të gushtit.
Sipas zyrtarëve të lartë të rajonit, flukset e larta të turistëve janë kthyer në problem për qendrat shëndetësore.
Masa që duhet marrë në këtë drejtim është shumë e thjeshtë: Çdo Italian që udhëton drejt shteteve të Bashkuara të Amerikës di mirë që i duhet të paguajë një sigurim shëndetësor për të shmangur kosto të kripura në rast të ndonjë ngjarjeje të papritur që i çon në urgjencë.
Sipas tyre, në emër të reciprocitetit, këtë duhet ta bëjnë edhe qytetarët nga jashtë Bashkimit Evropian që vizitojnë qytetin. Të ardhurat prej këtij sigurimi, sipas autoriteteve, do përdoren për të përmirësuar shërbimin shëndetësor nëpër spitalet e rajonit.



