INSTAT publikuar normën e inflacionit, i cili është 2,1 për qind për muajin korrik. Gazetari Lorenc Rabeta tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se duhet të kishte një debat të gjerë mbi mënyrën si matet inflacioni, duke vënë në dukje se INSTAT-i mat 12 grupe dhe shërbimesh, ku përfshihen edhe ato të luksit. Rabeta thotë se për ushqime si qumështi, djathi, veza, ka një rritje prej 3,5 për qind, gjë që do të thotë se për produktet që blihen më së shumti inflacioni do të shkonte në 4 për qind.
“Është një shifër shumë e bukur dhe është e vërtetë. Është e vërtetë ajo normë duke parë si e mat INSTAT-i inflacionin, ku merr 12 grupe shërbimesh dhe produktesh dhe nxjerr mesataren e tyre. Por a pasqyrojnë këto 12 grupe...Janë shumë të gjera, kanë edhe produktet e luksit dhe transportin ajror. Marrim dy pensionistë, shumë pak e përdorin transportin ajror, dhe shumë pak prej tyre blejnë produkte luksi. Duhet të kishte një debat shumë të gjerë mbi mënyrën si matet inflacioni në Shqipëri, duke parë shtresëzimet e forta, polarizimet e forta, ku kemi profesione që marrin 2-3 mijë euro, dhe rrogën minimale 45, 46 mijë lekë. Duhet një debat më i gjerë dhe i ngritur mbi fuqinë blerëse të shqiptarëve. Unë shoh çmime, qumështi, djathi dhe vezës, që janë rritur me 3,5 për qind, që është një shifër më e lartë nga ajo që raporton INSTATI, prej 2,1 për qind. Atëherë inflacioni duhet të jetë minimalisht 4 për qind, duke parë produktet që blihen më së shumti. S’ka debat serioz, sepse është shumë e bukur kjo matja e thjeshtë që bën INSTAT-i. Qeveria duhet t’i ngrejë politikat e veta duke kuptuar sa është inflacioni për një familje mësuesish, pensionistësh. Inflacioni për një familje pensionistësh është 10 për qind. Ne duhet të targetojmë cdo grup shoqëror, për të kuptuar inflacionin real, dhe mbi ato të dhëna qeveria të ngrejë politika sociale dhe ekonomie. Nga INSTAT bëhet një mesatare aritmetike, shumë e thjeshtë, që për mua s’është e drejtë”.



