Një ristrukturim i shërbimit të Gjendjes Civile, i parashikuar nga VKM nr.75, datë 6 shkurt 2026, është kthyer në një përplasje institucionale mes një punonjëseje me mbi një dekadë në detyrë dhe Bashkisë së Vlorës.
Dorjana Hibroj, e cila prej vitit 2014 ka ushtruar detyrën e përgjegjëses së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Orikum, pretendon se askush nuk i ka sqaruar procedurën ligjore të lirimit dhe emërimit të saj pas hyrjes në fuqi të ristrukturimit.
Sipas saj, ligji parashikon që ky proces të zhvillohet në bashkëpunim mes Bashkisë Vlorë, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme dhe Prefekturës, por secili institucion ia ka kaluar përgjegjësinë tjetrit.
“Duhet të shkosh si specialiste në Rajonin nr.2”, i është komunikuar nga Bashkia. Ndërsa Dorjana kundërshton duke thënë se fillimisht duhet të lirohet nga detyra që mban prej vitesh.
“Jam përgjegjëse, jo specialiste”, është pretendimi mbi të cilin ajo ka ndërtuar të gjithë kundërshtimin e saj.
Sipas saj, Drejtoria e Gjendjes Civile i ka thënë se lirimi bëhet nga Bashkia, ndërsa Bashkia i ka thënë se procedura kryhet nga Drejtoria. Për këtë arsye, ajo nuk ka pranuar të largohet nga zyra, pasi pretendon se nuk i është vënë në dispozicion asnjë dokument që e liron nga funksioni i përgjegjëses.
Madje, sipas saj, ndërkohë që procesi nuk ishte sqaruar, nisi edhe presioni administrativ, duke i bllokuar pagën, duke i hequr ditë pune dhe duke i komunikuar se rrezikonte largimin nga detyra.
Për të marrë një shpjegim zyrtar, ekipi i Xhadat shkoi fillimisht në Njësinë Administrative Orikum, ku kërkoi takim me administratorin Drini Harizaj. Ai nuk ndodhej në zyrë, nuk iu përgjigj telefonatave të gazetarit dhe as të Dorjanës, ndërsa përmes sekretares u kërkoi që t’i drejtoheshin Bashkisë së Vlorës.
Edhe në Bashki, rruga nuk rezultoi e lehtë. Dorjana Hibroj nuk u lejua të hynte nga hyrja e nëpunësve, megjithëse është punonjëse e institucionit. Në sportelin e informacionit, gazetarit iu komunikua se çdo takim me drejtuesit e Bashkisë apo me Drejtorinë e Burimeve Njerëzore duhej të kërkohej me shkrim.
Pak më vonë, ekipi u përball me nënkryetaren e Bashkisë, Irena Toshkallari, e cila refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për rastin, duke argumentuar se gazetari nuk mund ta intervistonte jashtë ambienteve të Bashkisë, por znj.Irena harroi faktin që ishte në orarin zyrtare të punës, e ndërsa gazetari u shpreh se brenda orarit 4-8 kam të drejtën t'ju bëj çdo pyetje, kudo që të jeni. Gjatë debatit, Toshkallari deklaroi se nuk e njihte çështjen në detaje, megjithëse pak çaste më parë kishte treguar komunikimet me Dorjanën dhe e akuzoi këtë të fundit për mesazhe kërcënuese. Gazetari kundërshtoi këtë interpretim, duke theksuar se përmbajtja e mesazhit kishte karakter moral dhe jo kërcënues.
Në vijim të investigimit u siguruan edhe disa biseda telefonike.
Në një telefonatë mes vëllait të Dorjanës dhe kryetares së Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, kjo e fundit u shpreh sikur nuk e njihte çështjen, megjithëse ishte vetë ajo që kishte telefonuar pas ankesës së bërë pranë Kryeministrit.
Në dy telefonata të tjera, Drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Lorena Nebiu, i kërkon Dorjanës të largohet menjëherë nga zyra dhe të paraqitet në Rajonin nr.2, duke iu referuar vendimit të Kryeministrit dhe Këshillit Bashkiak. Kur Dorjana kërkon aktin e lirimit dhe emërimit, përgjigjja që merr është: “Lexo VKM-në dhe ndiqe.”
Ndërkohë, gjatë një bisede me përfaqësuesin e Financës në Bashkinë Vlorë, Hiqmet Haxhiaj, Dorjana kërkon të mësojë në çfarë pozicioni do t’i kalojë paga, por nuk merr një përgjigje të qartë.
Një tjetër telefonatë zhvillohet mes vëllait të saj dhe Drejtoreshës së deleguar të Drejtorisë së Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Enkelejda Shpuza. Ajo deklaron se lista e punonjësve përgatitet nga kryetarja e Bashkisë së Vlorës dhe se lirimi nga detyra është bërë nga Bashkia, duke krijuar një tjetër kontrast me pretendimet e institucioneve.
Përplasja kulmoi kur në ambientet e Njësisë Administrative Orikum mbërritën punonjës të Policisë Bashkiake për ta larguar Dorjana Hibrojn nga zyra ku kishte punuar prej vitesh. Ajo kundërshtoi hyrjen e tyre, duke argumentuar se mbante ende përgjegjësi ligjore për dokumentacionin që ndodhej në zyrë.
Pas kërkesës për informacion të dërguar nga Xhadat, Bashkia Vlorë konfirmoi zyrtarisht se Dorjana Hibroj është shkarkuar përfundimisht nga detyra.
Sipas institucionit, ristrukturimi u bë në zbatim të VKM nr.75, zyra e Gjendjes Civile në Orikum u mbyll dhe Hibroj u transferua si specialiste në Rajonin nr.2. Bashkia pretendon se ajo e ka pranuar transferimin me procesverbal, por më pas nuk është paraqitur në vendin e ri të punës, nuk ka dorëzuar dokumentacionin dhe nuk ka bashkëpunuar me komisionin e inventarizimit. Për këto arsye, është marrë masa administrative “Lirim nga detyra”.
Megjithatë, përgjigjja zyrtare lë ende pa sqaruar disa çështje që ngrihen edhe në këtë investigim. Bashkia nuk vuri në dispozicion procesverbalin që pretendon se është firmosur nga Dorjana Hibroj, nuk sqaron nëse procedura është zhvilluar në bashkëpunimin institucional të parashikuar nga VKM-ja dhe nuk jep shpjegime mbi pretendimin e saj se fillimisht duhej të kryhej lirimi nga funksioni i përgjegjëses përpara emërimit në pozicionin e ri.
Emisioni i plotë “Xhadat”, MCN TV:



