
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, thotë se dy deputetë të PS-së duan të ndryshojnë ligjet e reformës në drejtësi. Sipas Gjatës, Adnor Shameti dhe Ulsi Manja duan të gllabërojnë atë që mbetet nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.
“Adnor Shameti apo Ulsi Manja, që e ka mbështetur idenë e tij për ndryshimin e ligjeve të reformës në komisionin e ligjeve, e kanë thënë qartë. Janë ata që duan të shtrijnë edhe më shumë kthetrat për të gllabëruar çfarë ka mbetur nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, duke penguar zbatimin e Reformës në Drejtësi”, shprehet ai në një postim.
Një ditë më parë, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh se shpreson që të mos ketë një marrëveshje për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri.
“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, shkruan Kim.



