Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj kishte në fokus të puntatës së sotme statusin e minatorit dhe pensionet. Ish-minatorët e konsideruan statusin e minatorit një rrenë me bisht, dhe e krahasuan rritjen e pensioneve “një paketë cigareje”.
Njëri prej ish-minatorëve thotë se ish-minatorët nuk jetojnë gjatë dhe një pjesë prej tyre nuk e gëzojnë pensionin.
“U rrit ka thënë kryeministri, po unë s’shoh asnjë rritje, sa një paketë cigareje, 7 mijë lekë. Na japin një suplement 20 mijë lekë të vjetra, ai është statusi, rrenë me bisht. Të kesh kualifikimin më të lartë dhe të nxjerrin pension me 222 mijë lekë, s’i mund të jetojmë ne? Qeveritarët marrin nga 200-300 në ditë. Për veten e vet e rritën, ndërsa për ne thonë mjaft e kini! Me çfarë të jetojmë ne? Mua më prishën edhe shtëpinë, tani jam mes katër rrugëve. Na dhanë dy vjet qira dhe pastaj na i shkëputën. Çfarë mund të bëjë familja ime?! Me çfarë të jetoj unë?! Ku e kam paranë e minatorëve unë? Berisha na hodhi në rrugë në 94-ën, Nano na gënjehu Ne thithim 100 për qind të helmeve të nëntokës, ne më shumë shohim natën se sa ditën. Ne të qymyrit jetojmë pak më gjatë, kush ka punuar në bakër, ata s’jetojnë më shumë se 60 vjeç”.
Një tjetër ngre shqetësimin që “për minatorët nuk lejohet të punosh pas pensionit”. Ai shton se merr “224 mijë lekë”, ku paguan vetëm për ilaçet 28 mijë lekë në muaj.
Ish-minatori Qani Shino, një prej protestuesve në protestën para Kryeministrisë, theksoi nevojën e minimumit jetik.
“Ne jemi shtresa më e persekutuar, mosha e tretë më e goditur e këtyre viteve të Shqipërisë. Që në 91-shin na u mbyllën frontet e punës, minierat, uzinat, fabrikat, dhe dolëm në rrugë. Kemi 32 vjet që protestojmë si grup minatorësh dhe shtresash në nevojë. I kemi kërkuar qeverisë minimumin jetik. Specialistët thonë që duhet minimumi 260 mijë lekë, që të paktën të shtrëngohesh të rrosh”.



